Njëqind vjet nga ndarja e Irlandës së Veriut, partia katolike Sinn Fein është drejt rrugës për të fituar zgjedhjet rajonale. Sinn Fein njihet si parti nacionaliste, e cila në qendër të politikës së saj ka vendosur bashkimin e Irlandës së Veriut me Republikën e Irlandës.
Përballë tyre qëndron partia protestante DUP, të cilët janë kategorikisht kundër bashkimit me Irlandën, duke mbështetur statusin e tanishëm si pjesë e Mbretërisë së Bashkuar. Sipas tyre, fokusi i nacionalistëve Sinn Fein për bashkim mes Irlandave shpërqendron vëmendjen nga tema të tjera që u interesojë njerëzve të zakonshëm dhe familjeve.
Përçarja e elektoratit në Irlandën e Veriut do të thotë se partitë Nacionaliste dhe Unioniste duhet të bashkëpunojnë për formimin e qeverisë.
Ndërkohë në lojë janë edhe parti të tjera që nuk identifikohen tek asnjë prej grupeve dhe pritet të rriten si elektorat. Më e rëndësishmja prej tyre është Partia e Aleancës, e cila pret të përfitojë shumë vota nga protestantët e DUP.
Si parti e qendrës, ata premtojnë shmangie të debateve mbi vendosje kufijsh, por përqendrim tek problemet e përditshme të njerëzve dhe rritjen e mirëqenies së tyre.
Sërish analistët thonë se mundësitë janë të vogla që këto parti të ndryshojnë balancat e pushtetit dhe për momentin sondazhet shprehen se DUP dhe Sinn Fein do mandatohen për të punuar së bashku.
Irlanda e Veriut luan një rol kyç për Anglinë pas Brexit, pasi aty është vendosur kufiri i ri mes BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe bashkimi me Irlandën, që vazhdon të qëndrojë në Europë, do të sillte tensione të reja.