Thirrjet e kryeministrit britanik, Boris Johnson për të shtuar ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën, ka bërë që Rusia të ‘tregojë dhëmbët’ dhe nis me kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore drejt Britanisë.
Televizioni rus “Channel One” i kontrolluar nga shteti rus ka kërcënuar me një mesazh gjatë edicionit kryesor të lajmeve se “Moska mund të zhdukë përgjithmonë Britaninë me një cunami bërthamor”.
Sipas televizionit rus, Moska mund të fundos përgjithmonë Britaninë vetëm me një raketë nënujore bërthamore, prandaj i kërkon asaj që “ta mendojë dy herë” para se të kërcënojë Rusinë apo të bëj thirrje kundër saj.
“Shpërthimi i raketës nënujore bërthamore drejt Britanisë do të shkaktojë një valë gjigante cunami, ku ishujt britanikë do të mbuloheshin nga uji radioaktiv. Pse të kërcënoni Rusinë që ka pafund armë bërthamore kur jeni në një ishull kaq i vogël? Ishulli është aq i vogël sa që mjafton vetëm një raketë ‘Sarmat’ për ta fundosur një herë e përgjithmonë vendin tuaj”, tha gazetari Dmitry Kiselyov i televizionit “Channel One” ndërkohë që komentonte grafikët se si raketa ruse godiste Britaninë.
Rezistenca e forcave ukrainase për të mos lëshuar Kievin si dhe mbështetja e madhe me armë që Perëndimi po sjell për Ukrainën, ka bërë që Rusia të shtojë kërcënimet e saj se mund të ketë një Luftë të Tretë Botërore ku nuk do të mungojë përdorimi i armëve bërthamore.
Media shtetërore ruse ka luajtur një rol kyç në ‘justifikimin’ e pushtimit të Rusisë mbi Ukrainën duke e cilësuar luftën si një betejë ekzistenciale me Perëndimin./ The Time