Mariupol duket se është në prag të rënies në kontrollin e rusëve, ndërsa ushtria e Ukrainës vazhdoi të martën përpjekjet për të evakuuar luftëtarët e mbetur në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol.
Marrja e Mariupolit do ta bënte atë qytetin më të madh të pushtuar deri tani nga forcat e Moskës në luftë dhe do të përbënte një fitore të nevojshme për Kremlinin, megjithëse tre muaj bombardime ruse e kanë kthyer në gërmadha qytetin port.
Më shumë se 260 luftëtarë ukrainas – disa prej tyre të plagosur rëndë dhe të nxjerrë jashtë me barela – lanë rrënojat e uzinës Azovstal të hënën dhe iu dorëzuan palës ruse në një marrëveshje të negociuar nga palët ndërluftuese.
Pesëdhjetë e tre luftëtarë të plagosur rëndë u dërguan në një spital në Novoazovsk, në lindje të Mariupolit, tha zëvendës Ministrja e Mbrojtjes Anna Malyar. Novoazovsk është nën kontrollin e trupave ruse dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.
211 luftëtarë të tjerë u dërguan në qytetin Olenivka, një zonë e kontrolluar gjithashtu nga separatistët e mbështetur nga Rusia, tha zonja Malyar, duke shtuar se të evakuuarit mund të shkëmbeheshin me të burgosur rusë.
Autoritetet ukrainase thanë se po punonin për të nxjerrë ushtarët e mbetur nga fabrika e madhe e çelikut.
Rusia po e quajnë largimin e ushtarëve dorëzim. Ukrainasit e shmangën atë fjalë dhe thanë se garnizoni i uzinës kishte përfunduar misionin.
Gjatë një fjalimi gjatë natës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy foli për evakuimin e ushtarëve nga Mariupoli.
“Dua të theksoj se Ukrainës i duhen të gjallë heronjtë ukrainas. Ky është parimi ynë,” tha Zelenskyy. “Unë mendoj se çdo person i arsyeshëm do t’i kuptojë këto fjalë. Operacioni për shpëtimin e mbrojtësve të Mariupolit nisi nga oficerët tanë ushtarakë dhe të zbulimit. Puna vazhdon për t’i sjellë djemtë në shtëpi dhe ky mision kërkon kujdes dhe kohë.”
Zv/ministrja Malyar tha se po bëhen përpjekje për të shpëtuar luftëtarët e mbetur brenda fabrikës që ishte bastioni i fundit i rezistencës në qytetin port të shkatërruar të Mariupolit.
“Ata përmbushën të gjitha detyrat e tyre. Por është e pamundur të zhbllokohet Azovstali me mjete ushtarake”, tha ajo. /VOA