Ministria e Kulturës dhe Sportit në Britaninë e Madhe ka kërkuar hetime për veprimet e policisë franceze në finalen e Champions League që u zhvillua të shtunën në Paris.
Nadine Dorries kërkon që UEFA të hetojë skenat që ndodhën jashtë stadiumit me tifozët anglezë të Liverpool që vonuan edhe fillimin e finales së Champions.
Policia franceze është kritikuar për hedhjen e gazit lotsjellës dhe sprej piper ndaj tifozëve anglezë që prisnin të futeshin në stadium.
UEFA ka thënë se do t’i shqyrtojë me prioritet këto çështje.
Për shkak të skenave jashtë stadiumit, finalja e Champions League nisi 36 minuta me vonesë.
Ndërsa Ministria franceze e Sportit ka thirrur në takim të hënën UEFA-n, Federatën Franceze të Futbollit, zyrtarë të stadiumit të Parisit dhe të policisë për të mësuar se çfarë ka ndodhur.
Fillimisht u tha se nisja e ndeshjes u shty për shkak të ardhjes me vonesë të tifozëve të Liverpool.
Por shumë tifozë të Liverpool thanë se pritën në radhë të gjata për orë të tëra jashtë stadiumit.
Por më vonë UEFA deklaroi se vonesa u shkaktua për arsye sigurie, sepse shumë tifozë anglezë kishin blerë bileta false.