Anijet dhe trenat rusë po vjedhin miliona tonë grurë ukrainas ndërkohë që Kombet e bashkuara paralajmërojnë për një krizë globale ushqimesh.
Imazhet nga satelitët tregonin anije mallrash që ngarkoheshin në Sevastopol, një port në Krimenë e kontrolluar nga Rusia. Ndërkohë që grabitësit rusë kanë shkëmbyer kamionët me trena për të dërguar ngarkesat e vjedhura më shpejt në portet e Detit të Zi.
Jevhen Balytskyi, guvernatori i vendosur nga Rusia në rajonin e Zaporizhias, që përfshin edhe qytetin e Melitopolit, thotë:
Unë jam krenar dhe i lumtur t’ju informoj se ngarkesa e parë ka shkuar në Krime me grurë nga hambarët e Melitopolit. Ai pretendoi se mijëra vagonë të tjerë me grurë do të lëviznin në ditët në vijim.
Ukraina, eksportuesja e katërt më e madhe në botë, tha se 500 mijë tonë grurë me vlerë afro 200 milionë euro, janë vjedhur që kur nisi lufta më 24 shkurt.
Të paktën 100 mijë tonë i kanë shkuar aleatëve të Putinit në Siri. Një anije është parë të ankorohet në një port sirian dy ditë më parë. Kombet e bashkuara kanë paralajmëruar se ndryshimet e klimës dhe bllokada ruse e Detit të Zi ka bërë që çmimi i grurit të rritet dhe 44 milionë njerëz po shkojnë drejt urisë.
Në Afrikë, fermerët po përballen ndërkohë me thatësirën më të madhe në 40 vite. Britania ka kërkuar ndërkohë një hetim pasi SHBA paralajmëroi 14 vende se rrezikojnë të blejnë grurë të vjedhur.
Kryediplomati amerikan Antony Blinken tha se rusia po grabiste grurin ukrainas për të fituar vetë ajo.