Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se fajtore për këtë ndryshim është qeveria e Kosovës, institucionet e së cilës kanë zvarritur procedurat dhe kanë ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Prishtinës.
KOSOVË-Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë në një konferencë për mediat ku ka folur rreth zhvendosjes së zhvillimit të festivalit ‘Sunny Hill’ nga prishtina në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se fajtore për këtë ndryshim është qeveria e Kosovës, institucionet e së cilës kanë zvarritur procedurat dhe kanë ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Prishtinës.
“Arsyeja pse ky festival është i zhvendosur në Tiranë është kryekëput përshkak të zvarritjes së qeverisë. Institucionet qëndrore kanë tentuar vazhdimisht të ndërhyjnë në kompetencat e kuvendit komunal dhe të kryetarit të Prishtinës. Për fat të keq për çështje të tilla janë bërë përpjekje që vendimin ta rikthejnë në Kuvend kundër vullnetit të shumicës në asamble. Vendime të tilla për ne janë të papranueshme, zvarritja e qeverisë është e pafalshme për dëmin që i ka bërë ekonomisë së vendit”, tha ai.
Rama kërkoi nga qeveria që të konfirmojë ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe u shpreh se qeveria ka qenë në dijeni për pikat e kontratës.
“Ftoj qeverinë që të ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe të konfirmojë ligjshmërinë e vendimit të kuvendit të Komunës. Për hirë të transparencës së plotë, qeveria ka qenë në dijeni për pikat e kontratës. Kontrata parasheh që nëse tri vjet me radhë festivali Sunny Hill nuk mbahet për çfarëdo arsyeja atëherë toka i kthehet Komunës”, tha ai.
I pari i Prishtinës theksoi se nga viti i ardhshëm festivali “Sunny Hill” do të mbahet në Prishtinë dhe do të jetë i përhershëm pa ndryshuar lokacionin.
“Tash e tutje për çfarëdo arsye këtë vit është marrë vendimi të mbahet në Tiranë por nga viti i ardhshëm e tutje do të jetë në Prishtinë i përhershëm”, tha Rama.
Rama ka bërë llogaritë se sa do të fitonte Prishtina nëse do të mbahej festivali “Sunny Hill” gjatë katër ditëve të gushtit ku ai tha se ishte llogaritur që fitimi tq ishte nga 12 deri në 15 milionë euro.
“Përfitimi i qytetit është paraparë që sivjet të jetë 12 deri në 15 milionë, pra këto janë humbjet. Unë s’kam asgjë kundër Tiranës edhe atje do të shkojë por festivali është dashtë të mbahet në Prishtinë”, tha Rama.
Dje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se fitimi që Tirana do ta ketë nga organizimi i “Sunny Hill” pritet të jetë 40 deri në 50 milionë euro.