Raporti i fundit i shërbimit informativ sjell një pasqyrë të qartë të aktivitetit të spiunazhit në vend, ndërsa për Helidon Bendon shërbimet sekrete kundërshtare kanë qene mjaft aktive në Shqipëri.
“Shërbimet sekrete kundërshtare kanë vijuar aktivitetet përmes përdorimit të aktorëve të tyre në rajon, me qëllim pengimin e avancimit në proceset integruese euro-atlantike dhe destabilizimin, duke synuar të sjellin një situatë të brishtë dhe të cenueshme në Ballkanin Perëndimor”, tha Helidon Bendo, Drejtori i SHISH.
Spiunazhi nga vendet e huaja sipas raportit është i prirur të sigurojë informacion për stërvitjet ushtarake te NATOS. Për të ilustruar këtë SHISH solli edhe historinë e një diplomati të etiketuar si “Rezidenti” i cili kishte joshur përmes pagesave dhe premtimeve për shkollimin e djalit, një punonjës të administratës shqiptare të quajtur “Çelësi”, me qëllim sigurimin e informacioneve të klasifikuara.
Në raport thuhet se në vitin 2021 në Shqipëri kaluan transit 18 mijë emigrantë të paligjshëm dhe rreziku për infiltrimin mes tyre të operativëve terroristë mbetet prezent. Niveli i kërcënimeve kibernetike është në rritje dhe ato u konkretizuan përgjatë 2021 në pjesën dërrmuese me bazat e të dhënave.
Anëtarët e grupeve shqiptare të trafikut të drogës sipas shërbimit informativ kanë krijuar kontakte të drejtpërdrejta edhe me prodhuesit në origjinë, duke fituar “besimin reciprok”.