Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksy Reznikov zbuloi të martën se Ukraina ka marrë 50 dronë të armatosur nga kompania turke e armëve Baykar që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt.
Reznikov falënderoi ukrainasit dhe Baykar për dhurimin e tre dronëve të armatosur Bayraktar TB2 pas një fushate për mbledhjen e fondeve në mediat sociale që mblodhi 20 milionë dollarë për të blerë tre aeroplanë.
Baykar të hënën tha se refuzoi të merrte paratë dhe në vend të kësaj do të dhuronte dronët për të treguar solidaritet me popullin ukrainas.
“Falë bashkëpunimit të fuqishëm të presidentëve të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe Recep Tayyip Erdogan të Turqisë, ushtria jonë mori Bayraktarin e parë në fushën e betejës në vitin 2021”, tha Renizkov duke shtuar se “ata e kanë treguar veten me shumë sukses në betejë”.
Reznikov tha se Ukraina dhe Turqia po vazhdojnë punën për të ndërtuar një fabrikë të përbashkët Baykar në Ukrainë për të ndërtuar dronë, një marrëveshje që u nënshkrua para luftës.
Ukraina dhe Turqia kanë bashkëpunim të ngushtë në industrinë e mbrojtjes, një marrëdhënie që ka lulëzuar vitet e fundit.
Kompanitë ukrainase prodhojnë gjithashtu motorët e Baykar-it dhe Turqia dihej se i kishte shitur Kievit më shumë se 20 Bayraktar gjatë dy viteve të fundit. Informacioni i Reznikov e rriti ndjeshëm atë numër.
Fluturimet e shpeshta midis Turqisë dhe Polonisë gjatë dy muajve të fundit tregojnë se Turqia ka vazhduar të dërgojë TB2 dhe municionet e saj MAM-L në Kiev.