Është e pamundur të shohësh filma të famshëm të viteve ’80 dhe ’90, pa parë fytyrën e Patrick Swayze.
Amerikani ishte protagonisti i filmave “Ghost” dhe “Dirty Dancing”, ishte një nga aktorët më të kërkuar, por fati i keq bëri që zemra e tij të pushonte së rrahuri kur ishte vetëm 57 vjeç, viktimë e kancerit të pankreasit, nga i cili nuk mundi të shërohej.
Tani, emri i Swayze kthehet në skenë falë gruas së tij. Lisa Niemi ka treguar detaje nga historia e saj e dashurisë, në një intervistë për programin “Entertainment Tonight”, emision argëtues televiziv në rrjetin CBS. Aty ka zbuluar edhe fjalët e fundit që i ka kushtuar para se ai të vdiste.
“Fjalët e mia të fundit për Patrick? “Të dua”. Këto ishin edhe fjalët e fundit të tij për mua. I mbajta dorën dhe dëgjoja se si merrte frymë nga pak. Kisha frikë se befas atë do ta kapte paniku. U shtriva pranë tij, ia mora dorën dhe ia kontrollova sërish pulsin. Dhe pastaj nuk mori më frymë”, kujton Niemi.