E sotmja do të jetë një ditë vendimtare për mbijetesën politike të kryeministrit Boris Johnson pas dorëheqjes së dy ministrave të rëndësishëm të martën, dhe thirrjeve të vazhdueshme për largimin e tij.
Rishi Sunak, ministër i financave dhe Sajid Javid, sekretar për Shëndetësinë dhe kujdesin social dhanë dorëheqjen brenda pak minutave mbrëmjen e së martës, me pretendimin se kishin humbur besimin tek Johnson.
Të njëjtin shembull ndoqën edhe anëtarë te tjerë më të rinj të qeverisë. Vala e dorëheqjeve vijoi edhe të mërkurën, me ministrin për fëmijët dhe familjet Will Quince, dhe asistenten e sekretarit të shtetit për transportin Laura Trott.
Por pavarësisht dezertimeve dhe sondazheve që sugjerojnë se shumica e elektoratit duan që Johnson të largohet, kryeministri duket se po përpiqet të ruajë pushtetin.
Mbrëmjen e së martës ai e zëvendësoi Sunakun si kancelar me sekretarin për arsimin Nadim Zahavi, ndërsa ish sekretari për Brexit Steve Barclay u emërua në vend të Javid si ministër i Shëndetësisë.
Gjatë ditës Johnson do të duhet të japë llogari para parlamentarëve në një seancë që ka gjasë të përcaktojë të ardhmen e tij.