Në oborrin e Kryeministrisë u zhvillua mëngjesin e sotëm ceremonia e ngritjes simbolike e flamurit të Bashkimit Evropian pas çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Pas ngritjes së flamurit dhe luajtes së himnit kombëtar, kryeministri Rama iu drejtua të pranishmëve duke i falënderuar për pjesëmarrjen.
“Sot është një ditë e re për Shqipërinë dhe ju falënderoj shumë të gjithëve ju që jeni këtu bashkë me mua për ceremonialin e ngritjes së flamurit të BE-së, pas çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e bashkuar evropiane”, u shpreh Rama.
“Prania juaj këtu është më shumë sesa një prani protokollare, sepse ju dhe institucionet që përfaqësoni jeni drejtpërdrejt contributor në ndërtimin e rrugës evropiane të Shqipërisë. Ngritja e këtij flamuri sot në selinë e Kryeministrisë, shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel, jo vetëm në marrëdhëniet me BE, po edhe në të ardhmen e saj, me liritë dhe të drejtat, sigurinë dhe zhvillimin e saj në çdo drejtim”, tha Rama.
Por, shtoi Rama, “ky moment shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimeshtë marrëdhënieve të shoqërisë dhe të qytetarit shqiptar me vlerat, parimet, standardet, rregullat dhe frymën e bashkëjetesës demokratike evropiane”.
Ai u zotua të shtojë angazhimin dhe të ngrejë qeverisjen në një nivel të ri, ku përmendi dhe mbështetjen për lirinë e medias.
Ndër të tjera kryeministri u kërkoi falje shqiptarëve, për gabimet të cilat është i vetëdijshëm dhe ato që ende nuk i ka kuptuar, ndërsa siguroi se nuk ka bërë asnjë gabim me qëllim përfitimin në kurriz të të tjerëve.
“Nga thellësia e shpirtit ju them sot të gjithëve se kurrë nuk kam qenë më i bindur dhe më i motivuar për ta merituar besimin e tyre (shqiptarëve). Zoti i bekoftë shqiptarët, Zoti e bekoftë Shqipërinë evropiane”, u shpreh Rama.
Këtë të martë në Bruksel u zhvillua Konferenca e parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Hapja e negociatave do të thotë një proces teknik që do të nisë me kontrollin e plotë të administratës shtetërore shqiptare dhe të gjithë legjislacionit shqiptar që të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Europian.