Serbia po pengon qëllimisht dialogun me Kosovën. Është kjo akuza e lëshuar nga kryeministri, Albin Kurti, i cili bëri të ditur se Beogradi anuloi takimin e nivelit të lartë do të mbahej këtë javë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
“Duhej të ndodhte një takim këtë javë mes meje dhe presidentit serb, Vuçiç, por kanë qenë përsëri ata që kanë kërkuar të shtyhet kjo gjë. Pra, ata po e shtyjnë dorëzimin e listave të konsumatorëve në veri, janë ata që po i shtyjnë takimet në Bruksel, çfarëdo preteksti që përdoret janë përpjekje për tu shfajësuar, në rastin kur fajësia nuk ka qenë kurrë më e qartë”, tha Kurti.
Kryeministri përsëriti se Kosova kërkon marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke, gjë e cila mbështetet nga Uashingtoni, Berlini zyrtar dhe Parlamenti Europian. Kurti komentoi dhe deklaratën e ndërmjetësuesit për dialogun, Miroslav Lajçak, se Prishtina dhe Beogradi janë afër një marrëveshje për çështjen e të pagjeturve të luftës, duke sqaruar se ku kanë ngecur bisedimet.
“Beogradi zyrtar insiston të quhen vetëm persona të zhdukur ndërsa ne insistojmë të themi se janë të zhdukur me dhunë. Ata nuk janë zhdukur nga ndonjë fatkeqësi natyrore, por janë zhdukur me dhunë, pra bëhet fjalë për kidnapime, rrëmbime. Insistimi ynë është që të theksohet kjo gjë”, tha ai.
Probleme paraqiti edhe në zbatimin e ujdisë së fundit të firmosur në Bruksel, lidhur me faturat e energjisë në veri të Kosovës. “Brukseli e ka evidentuar që qasja destruktive e Serbisë është faktori dhe fajtori për moszbatimin e deritanishëm të udhërrëfyesit, ashtu siç ishin paraparë oraret”.
Sa i përket mundësisë që Greqia ta njohë Kosovën, ai shtoi: “Besoj se Greqia ka avancuar në diskurs, por sa jemi afër ditës kur do ta njohë Kosovën, nuk mund ta themi tani”.