Suedia luan të martën mbrëma finalen e kampionatit Europian për femra ndaj Anglisë. Këto të fundit janë në shtëpinë e tyre dhe do të kërkojnë lavdinë, atë që nuk e arritën djemtë një vit më parë ndaj Italisë.
Megjithatë, Suedia do të kërkojë të prishë planet dhe pavarësisht se nuk kuotohet si një favorite sërish mbetet kombëtarja me renditjen më të mirë botërore të eventit. Vajzat nordike udhëhiqen nga shqiptarja Kosovare Asllani e cila së fundmi ka firmosur me Milanin.
Para finales Suedia ka marrë vëmendje të madhe nga ana e mediave ndërsa nuk ka shpëtuar edhe detaje mbi prejardhjen e Kosovares. Në shtypin britanik theksohet se Asllani është bijë e prindërve emigrantë nga Shqipëria teksa sjellin në vëmendje edhe një shqiponjë që ajo ka tatuazh në këmbë.
Ndërsa, rikujtohet edhe një deklaratë të futbollistes e cila thekson se ndjehet shqipëtare: “Kam lindur në Suedi, por jam shumë krenare për prejardhjen time. Prindërit e mi kanë lindur dhe janë rritur në Kosovë, ndaj unë jam edhe shqiptare, edhe suedeze. Jam rritur në një familje ku dëgjonim këngë shqiptare dhe unë i adhurojë ato. Nuk jemi një vend i keq”.
Sakaq, në organikën e suedezeve bie në sy edhe prezenca e Magdalena Eriksson, e cila është e lidhur me një tjetër futbolliste, Pernille Harder që aktivizohet me kombëtaren e Danimarkës. Çifti u bë i famshëm në vitin 2019 kur dhuruan një puthje para kamerave në Botërorin e Francës.
Megjithatë, Eriksson gjithnjë ka theksuar se puthjen nuk e ka bërë prej kamerave ndërsa shton se nuk pretendon të jetë një model për njerëzit, e po ashtu kërkon të mos kthehet edhe në një figurë të grupimit LGBT.
Ndërkaq, një tjetër element që i jep besim Suedisë për triumfin në finale është Fridolina Rolfo, sulmuesja që aktivizohet me Barcelonën edhe pse në katër ndeshje të Europianit ka shënuar vetëm një gol. (SuperSport)