Kryeministri Edi Rama shprehu besimin që gara për ndërtimin e aksit Milot-Fier, si pjesë e Korridorit Blu do të jetë e suksesshme, dhe jo me tender të parafabrikuar siç pretendon opozita. Dhe për të përgënjeshtuar akuzat, Rama tregoi se qeveria e tij refuzoi një kompani gjigante, pasi nuk plotësonte kriteret dhe nuk ishte në interes të vendit.
“Unë jam shumë besimplotë që gara do të jetë e suksesshme nga mënyra si është organizuar, sikundër më vjen shumë mirë që ta kujtoj sot që të gjitha ato që u thanë për gjoja një tender të parafabrikuar, për gjoja një kompani që e kishte fituar përpara, për gjoja një korrupsion të madh e bla, bla, bla, rezultuan të gjitha një vrimë e madhe në ujë, sepse faktikisht gara u bë me një rigorozitet të atillë që edhe një kompani shumë e madhe që u paraqit, nuk arriti dot ta merrte për shkak se oferta e saj nuk ishte në interes të vendit dhe në interes të pjesës që ne përfaqësojmë, që është interesi i publikut me afate jashtëzakonisht të gjata dhe me disa kërkesa që ne nuk mund t’i plotësonim”.
Kreu i qeverisë theksoi se ndërtimi i këtij aksi “do t’i shërbejë drejtpërdrejt të gjitha zonave pa diskutim që janë rreth këtij korridori, do t’i shërbejë drejtpërdrejtë turizmit dhe bujqësisë, do t’i shërbejë drejtpërdrejtë një transformimi të mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit tonë dhe do t’i shërbejë edhe vetë lëvizjes në unazën më të madhe që është unaza në fjalë e Mesdheut”.
Sipas tij, kjo do ta bëjë Shqipërinë shumë më të aksesueshme nga pikëpamja turistike dhe do t’i japë fund vështirësive dhjetëravjeçare në këtë aks.
“Pa diskutim do t’i japë fund të gjithë kësaj periudhe dhjetëravjeçare vështirësish në këtë aks, sidomos nga kthesa e Kamzës apo Kashari lart në Milot, në Lezhë dhe drejt Shkodrës ku standardet janë përmirësuar pa diskutim, por prapë problemet e sigurisë janë evidente. Me këtë korridor, mbyllet një pjesë e madhe e rrjetit kryesor të Shqipërisë, ndërkohë që ne po punojmë edhe për projektin e zgjerimit të rrugës nga Elbasani në Qafë-Thanë dhe po punojmë përsëri me Bashkimin Europian dhe Planin Ekonomik të Investimeve që Korridori i 8-të jetë një realitet në pikëpamje të çdo standardi, jo thjesht një rrugë e hapur për të kaluar, siç është sot, dhe faza tjetër është faza e hekurudhave”.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë foli edhe për projekte të tjera infrastruktorore, ndërsa njoftoi se së shpejti do të hapet gara për aeroportin e Sarandës, kurse për aeroportin e Vlorës tenderi ëhstë lancuar nga aeroporti i Mynihut.
“Aeroportet tanimë janë të gjitha në proces, aeroportin e Rinasit e kemi në një nivel tjetër nga pikëpamja e kapaciteteve përpunuese qysh prej pak ditësh, fare pak ditësh, aeroportin e Vlorës e kemi kantier me një ecuri fantastike dhe lajmi i mirë është që Aeroporti i Mynihut, i cili është dhe operatori i parashikuar për Vlorën, ka lancuar një tender të vetin atje përsa i përket gjithë mjeteve të logjistikës së operimit, gjë që konfirmon, nga njëra anë, kredibilitetin e plotë të projektit, konfirmon standardet e projektit sepse Aeroporti i Mynihut nuk mund të hyjë në një projekt që shkel standarde edhe europiane, edhe mjedisore, sikundër është përfolur kot më kot apo edhe të transparencës, dhe konfirmon, po ashtu, suksesin e garantuar të atij projekti, sepse Aeroporti i Mynihut nuk mund të futet në një projekt që është një ecje pa sëpatë në pyll, kur i thonë fjalës.
Aeroporti i Kukësit ka filluar të rritet ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme. Planet për aeroportin e Kukësit janë të qarta dhe ne jemi të bindur që në një kohë të arsyeshme, do të jetë një pikë referimi për të gjithë zonën që prek, qoftë anën tonë në Shqipëri, qoftë anën e Kosovës, madje edhe më gjerë se kaq, përveç atyre shërbimeve që do të ofrojë. Së shpejti do të hapet gara për aeroportin e Sarandës. Pra, me portat e qiellit ne kompletojmë të gjithë rrjetin që kemi paraparë”.
Ai foli edhe për ndërtimin e hekurudhave, ku ka nisur puna me Tiranë-Durrës, ndërsa ka shumë për të bërë për hekurudhën drejt Hanit të Hotit, e qoftë me hekurudhën Durrës-Prishtinë.
“Tjetra fazë është faza e hekurudhave që fillon. Faktikisht, kemi filluar me Tiranë-Durrës, por që kemi shumë për të bërë aty, qoftë me hekurudhën drejt Hanit të Hotit, e qoftë me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe qoftë edhe me hekurudhën e Korridorit të 8-të.
Këto janë ambicie, por jo ambicie thjeshtë në hava, por ambicie që po materializohen hap pas hapi në procese të ndryshme, procese studimesh dhe projektimesh, procese fizibiliteti, procese të realizimit të investimeve. Uroj dhe shpresoj që brenda një kohe të arsyeshme të jemi në kantier edhe në Korridorin Blu”.