Qeveria e Kosovës nuk do të diskutojë mbi targat dhe letërnjoftimet në takimin e nivelit të lartë që mbahet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Zëvendësministri i jashtëm Kreshnik Ahmeti thotë se këto janë marrëveshje të arritura më parë dhe në shtator do të nisë zbatimi i tyre.
“Nuk ka asnjë arsye që të shtrohen ato në tavolinë të diskutimit por është parë e arsyeshme nga qeveria jonë që të jepet edhe pak hapësirë deri më 1 shtator që të bëhet një fushatë informuese për gjithë qytetarët e Kosovës të cilët sigurisht shumica prej tyre janë nga komuniteti serb, që t’i kuptojnë të vërtetat mbi këto vendime, gjithashtu edhe benefitet të cilat i kanë duke u liruar nga pagesa të shumta”, deklaroi Ahmeti.
Zyrtari i lartë i Prishtinës shtoi se “njëra nga dezinformatat ka qenë që letërnjoftimet serbe do të konfiskohen, nuk është e vërtetë, siç e dimë vetëm do t’u shtohet një dokument siç ka bërë Serbia për një dekadë, dhe nuk ka asgjë përtej asaj dhe ka pasur një pajtueshmëri të tillë dhe më 1 shtator vendimet do të fillojnë të zbatohen”.
Për zëvendësministrin Ahmeti temë kryesore në Bruksel është njohja reciproke, ndërsa kritikon fushatën dezinformuese të Serbisë për çnjohje të Kosovës, duke deklaruar se janë identifikuar 30 raste te tilla, por pa rezultat.
“Duhet ta kemi parasysh që fushata e të ashtuquajtur çnjohje e Serbisë nuk është ndalë asnjëherë, ne kemi identifikuar edhe në periudhën kur ishte marrëveshja, zotimet e Uashingtonit, pra moratoriumi që Serbia e pranoi që mos ta bëjë atë fushatë, kemi identifikuar afër 30 raste kur Serbia ka bërë një fushatë të tillë në vende të ndryshme. Pas moratoriumit kjo veç është intensifikuar por deri më tani pa sukses, dhe jam i bindur që nuk do të jetë e suksesshme sepse është kuptuar konteksti gjeopolitik veçanërisht pas fillimit të luftës në Ukrainë ku Serbia haptas është rreshtuar në anën e Federatës Ruse”.
Ai nënvizoi se qeveria e tanishme po bën një punë më të mirë në thellimin e marrëdhënieve me vende që njohin Kosovën, gjë që nuk është bërë më parë, ndërsa thekson se prioritet i punës së tyre mbeten 5 vendet e BE që nuk e njohin Kosovën.
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Ahmeti thotë se presin rezultate të prekshme së shpejti por shton se nuk mund të jap datë meqë kjo nuk varet nga Kosova që tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret.