Mediat britanike fundjavën që lamë pas dhanë alarmin për emigrantët që shkojnë në ishullin e tyre. Sipas një raporti të “Daily Mail”, 40 për qind e atyre që kalojnë me gomone janë shqiptarë.
Rritja e numrit të shqiptarëve që përdorin gomone për të hyrë në Britani ka bërë që deputetët anglezë mbrëmjen e djeshme t’i bëjnë thirrje ministrave që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të deportuar emigrantët në Ruandë.
“Është e qartë se shumë shqiptarë që vijnë në MB me varka të vogla nuk po ikin nga lufta apo persekutimi, ata janë emigrantë ekonomikë. Ky është një kriminalitet flagrant dhe nënvizon urgjencën për të vazhduar me Ruandën dhe skema të ngjashme”, tha Tom Hunt, deputeti konservator për Ipswich.
Ai shtoi: “Duhet ta çojmë deri në fund këtë farsë. Legjislacioni për të realizuar skemën e Ruandës duhet të jetë në krye të “tabakasë” kur Parlamenti të kthehet pas pushimeve verore”.
Por deklarata e tij i tij ka sjellë një reagim të juristit Kreshnik Spahiu, i cili dënon këtë qëndrim.
“E papranueshme dhe shkelje flagrante e drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Me asnjë komb nuk sillen kaq poshtërsisht…..”, shkruan ai.
Sipas mediave britanike, pothuajse 500 milionë paund janë shpenzuar në 7 vitet e fundit për parandalimin e kalimit të paligjshëm të emigrantëve në kanalin e “La Mansh-it”, që ndan Britaninë e Madhe nga kontinenti europian.
Në total përfshihen shuma të mëdha që i janë dorëzuar qeverisë franceze në një përpjekje për të parandaluar azilkërkuesit e mundshëm që të largohen nga brigjet e tyre, si dhe për koston fillestare të marrëveshjes së azilit që Britania e Madhe ka firmosur me Ruandan.