I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë pas takimit me udhëheqësit e Listës serbe se kanë biseduar për tema të rëndësishme dhe tani po vazhdojnë rrugën për në Beograd.
I pyetur se a ka pasur pajtim që të shtyhet për tre muaj çështja e reciprocitetit, ai ka thënë se ka shumë spekulime dhe nuk dëshiron të hyjë në këtë.
“Një takim shumë i rëndësishëm me përfaqësuesit serb në Kosovë, në të cilën kemi folur për tema të rëndësishme dhe po vazhdojmë rrugën për në Beograd.
Ka qenë shumë e rëndësishme për neve që të takohemi me përfaqësuesit serb në Kosovë, sigurisht se ata e dinë qëllimin tonë dhe nga dora e parë u kemi treguar se cilat janë synimet dhe qëllimet tona”, ka thënë Lajçak para gazetarëve pas dy orësh takim, raporton Telegrafi.
Ai tha se çdo vendim i keq e dëmton paqen dhe i pengon njerëzit që jetojnë këtu.
“Kemi pasur për dy orë mundësinë që të ndajmë informatat… po shkojmë në Beograd, kemi takim me Vuçiqin dhe të shohim a kemi arritur sukses”, tha më tej Lajçak.
Ai shtoi se porosia e bashkësisë ndërkombëtare është që nuk duan të ketë situata si në fund të korrikut.
Lajçak i pyetur se a do të ketë barrikada në veri, ai tha se shpreson të mos ndodhë kjo pasi që këtë ishte takimi në Bruksel dhe për këtë janë këtu pasi njerëzit duan jetë normale e të qetë dhe po bëjnë të pamundurën që të mos ketë barrikada.
Ndërkaq, i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar theksoi se kanë pranuar shqetësimet e kryetarëve.
Ai tha se misioni i tyre vazhdon në Beograd dhe shpreson se do të kenë mundësinë të japin deklaratë për këto çështje sot në Beograd.