Liz Truss do të jetë kryeministrja e re e Mbretërisë së Bashkuar. 47-vjeçarja triumfoi në garën për lidershipin e Partisë Konservatore, duke mposhtur rivalin Rishi Sunak, me 57 për qind të votave. Truss do të zëvendësojë kryeministrin në largim Boris Johnson, ndërsa në fjalimin e parë pas fitores premtoi se do të vazhdojë në rrugën e shtruar nga paraardhësi i saj.
“Dëshiroj të falënderoj liderin në largim, mikun tim Boris Johnson. Boris, ti përmbylle Brexit. Mposhte bindshëm Jeremy Corbyn. Solle vaksinat dhe u ngrite kundër Vladimir Putin. Jeni i admiruar nga Kievi deri në Carlisle.”
Liz Truss është gruaja e tretë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar që merr drejtimin e apartamentit numër 10 në Doëning Street. Si kryeministre ajo pritet të përballet me 3 kriza kryesore: bashkimin e partisë konservatore; adresimin e krizës ekonomike; dhe luftën në Ukrainë. Përballë këtij presioni, 47-vjeçarja që po lë ministrinë e jashtme u zotua të përmbushte çfarë ka premtuar, duke nisur nga ngrirja e çmimit të energjisë elektrike për të mos rënduar dhe më tej xhepat e britanikëve.
“Miqtë e mi, ne duhet të tregojmë se do të përmbushim premtimet në dy vitet e ardhshme. Do të zbatoj një plan të fortë për të ulur taksat dhe rritur ekonominë tonë. Do të adresoj krizën energjetike, duke u marrë me faturat e energjisë të popullit, por gjithashtu edhe me çështjen që kemi me furnizimet.”
Rivali Sunak ka pranuar rezultatin dhe u vetë ofrua të bashkëpunonte brenda “familjes së madhe konservatore”.
Edhe Johnson reagoi për fitoren e Truss duke shprehur bindjen se ajo ishte e duhura për të adresuar shqetësimet e popullit. Ndërkohë, Truss dhe kryeministri në largim do të udhëtojnë për në Skoci për t’u takuar me Mbretëreshën Elizabet për të zyrtarizuar tranzicionin dhe kryeministren e re të vendit.