Pas sulmit kibernetik në Shqipëri që nxori jashtë funksionit për disa javë disa faqet zyrtare të qeverisë dhe shërbimet për publikun në e-Albania, një rast i ngjashëm është regjistruar këtë të martë dhe në Kosovë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu bën me dije se institucionet e janë përballur me sulme kibernetike, të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit, por për momentin gjendja është e qëndrueshme.
Në një postim në Facebook, Kryeziu shprehet se sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë.
Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, përkatësisht ekipi i sigurisë kibernetike, ka ndërmarrë veprime konkrete me qëllim të tejkalimit të këtij sulmi kibernetik dhe kthimit në funksion të shërbimeve.