Eurodeputeti austriak Lukas Mandl, ka riperseritur qëndrimet e tij karrshi Bashkimit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në një intervistë për Telegrafin, Mandl tha se liberlizimin e vizave e meritojnë populli i Kosovës, pasi ka kohë që janë përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.
Ai shtoi se vlerëson shumë durimin që kanë shumë njerëz në Kosovë, për tërë këtë pritje që të udhëtojnë pa viza drejt Evropës.
“Unë jam duke punuar shumë në këtë çështje por ka edhe kolegë nga vende të ndryshme evropiane që janë duke punuar po ashtu shumë në këtë drejtim. Unë pothuajse kam humbur durimin dhe e vlerësoj durimin që kanë shumë njerëz në Kosovë sepse është stërzgjatur kjo çështje. Liberlizimin e vizave e meritojnë populli i Kosovës. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”, u shpreh ai.
Mandl theksoi ai vazhdimisht ka dhënë kontributin e tij për këtë çështje por shtoi se janë vetëm disa shtete anëtare të cilat akoma nuk janë bindur plotësisht për këtë gjë.
“Pyetja juaj ishte se a do të ndodhë liberalizimi në vitin 2023. Nëse do të kisha ndonjë dëshirë, ajo do të ishte që kjo të ndodhte edhe më herët por unë nuk e di këtë. Unë mund ta jap kontributin tim vetëm në parlament pothuajse çdo ditë duke u munduar që t’i bind shtetet anëtare që të marrin vendime adekuate për Republikën e Kosovës”, deklaroi Mandl.
Ai foli edhe për Ballkanin e Hapur.
“Gjendjen pozitive në të cilën ndodhet sot Bashkimi Evropian e bëjnë ekonomia, shkëmbimi i shërbimeve dhe mallrave që do të thotë se kjo i ofron popujt në mes vete çdoherë e më shumë. Këtë e dëshiroj edhe për Ballkanin Perëndimor por duhet të ketë ndërveprim të vërtetë për përfitim reciprok”, tha ai.
I pyetur nëse Austria mbështet ose jo, iniciativën e Ballkanit të Hapur, Mandl theksoi se vendi i tij mbështet çdo gjë kur plotësohen kriteret e lartcekura që kanë të bëjnë me zhvillim të mirëfilltë biznesesh dhe marrëdhënie të mirëfillta ekonomike.
“Do të thosha se Austria mbështet çdo gjë kur plotësohen kriteret e lartcekura që kanë të bëjnë me zhvillim të mirëfilltë biznesesh dhe marrëdhënie të mirëfillta ekonomike ku do të ketë gjithëpërfshirje, krijim vendesh të reja pune, rinia të ketë mundësi të mira për të ardhmen e tyre, e kjo do të vlerësohej shumë”, u shpreh Mandl. /