100 vite pas marshimit të Benito Musolinit në Romë, ekonomia e tretë më e madhe e Europës, Italia, do të ketë një qeveri të së djathtës ekstreme. Me rreth 26 për qind të votave të fituara në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, liderja e Fratelli d’Italia Georgia Meloni pritet të bëhet kryeministrja e parë grua në vend, dhe të krijojë qeverinë më të djathtë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Duke folur për mediat dhe mbështetësit në orët e para të së hënës, 45-vjeçarja tha se ky ishte një moment krenarie, por edhe shpagimi.
“Kur kjo mbrëmje të ketë marrë fund është e rëndësishme të kujtojmë se nuk jemi në pikën e mbarimit, por në atë të fillimit. Nga nesër, duhet të tregojmë vlerat tona. Për shumë njerëz kjo është sigurisht një natë krenarie, por edhe shpagimi, lotësh, përqafimesh dhe ëndrrash”, deklaroi Meloni.
Partia Fratelli d’Italia e Melonit është në aleancë me partinë tjetër të së djathtës, Lega e Matteo Salvinit dhe Forza Italia të Silvio Berlusconit, të cilët deri më tani rezultojnë të kenë grumbulluar respektivisht, 9 dhe 8 për qind të votave.
220925145413 02 giorgia meloni file large 169
Një grua do të bëhet për herë të parë kryeministre e Italisë
Së bashku, ato parashikohet të kontrollojnë të dyja dhomat e parlamentit, Senatin dhe dhomën e ulët me rreth 44 për qind të votave. Performanca e dobët e partnerëve të koalicionit, nënkupton se Meloni do të ketë peshën kryesore në krijimin e qeverisë.
Ultrakonservatore dhe me një të kaluar tek aktivizmi neofashist, ardhja e Melonit në krye të Italisë ka alarmuar pjesën më të madhe të Europës, por 45-vjeçarja premtoi se do të qeverisë për të gjithë dhe nuk do të tradhtojë besimin e popullit. ”Është e rëndësishme të kuptojmë ne do të mandatohemi të udhëheqim vendin, do ta bëjmë për të gjithë”.
Vendimin se kush bëhet kryeministri i ri, e merr presidenti Sergio Mattarela dhe për këtë duhet pritur disa javë. Ndryshe nga kolegët e saj të së djathtës në Europë, Meloni e ka zbutur retorikën antieuropiane dhe mbështet sanksionet për Ukrainën, por nën moton, Zoti, atdheu, familja, është kundër lobit të LGBTQ, dhe emigrantëve.
Gjatë fushatës, premtoi reduktim të taksave, rinegocim të kushteve të BE-së për paketën ekonomike prej 200 miliardë euro dhe barriera për anijet që vijnë nga Libia. Partia Demokratike dhe qendra e majtë, u rendit e dyta me rreth 19 për qind të votave, ndërsa lëvizja e 5 Yjeve siguroi rreth 15 për qind.