Asgjë nuk duket mirë për Meta, teksa kompania po tregton me vlerën më të ultë të saj të aksioneve që nga viti 2019, reklamuesit po ulin shpenzimet, dhe përdoruesit po largohen nga platformat e saj.
Siç u raportua nga CNBC, shkruan Peta Pixel, Meta është në vështirësi të mëdha, pasi që stoku i saj e mbylli sërish javën me rënie dhe aktualisht po tregtohet në nivelet më të ulëta, të cilat nuk i kishin parë prej vitesh.
Vetëm 4 stoqe të aksioneve në S&P 500 kanë vlerë më të ulët se Meta, dhe është e paqartë se nëse kompania është e aftë ta nxjerrë vetën nga kjo rrëmujë.
Vetëm para një viti, vlera e kompanisë e arriti majën dhe që nga atëherë nuk ka qenë asgjë tjetër pos tatëpjetës teksa drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg, ka humbur miliarda dollarë duke e ndjekur metaversin e tij në të njëjtën kohë që rrjetet kryesore sociale, Facebook dhe Instagram, kanë pasur vështirësi.
Facebook në veçanti po kalon kohë të vështirë, dje disa analistë thanë se më nuk janë të sigurt se cili është biznesi kryesor i Facebook – ose nëse ka një të tillë.
Edhe ata që nuk janë aq të dëshpëruar dhe të zymtë për perspektivën e Facebook – edhe pse rrjeti social ka parë një ngritje të përgjithshme globale në numrin e përdoruesve, pavarësisht nga një rënie në përdoruesit e SHBA dhe Kanadasë – nuk janë të sigurt se nëse Facebook do të jetë i rëndësishëm për gjeneratën e ardhshme të përdoruesve.
Por duke e parë rritjen e rivalit TikTok, rritje kjo e cila në dukje është e paarritshme, ky vlerësim duket të jetë i drejtë.
Facebook veçanërisht u lëndua nga përditësimi i privatësisë nga ana e iOS në vitin 2021, një përditësim ky i cili parandaloi Meta-n nga targetimi i përdoruesve me reklama, për të cilën CNBC thotë se i kushtoi kompanisë me 10.1 miliardë euro humbje nga fitimet e përgjithshme këtë vit.