Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi, gjatë një deklarate jashtë parlamentit, mohoi vërtetësinë e listës së publikuar. Ai tha se të dhënat nuk janë pjesë e databazës të sistemit MEMEX.
“Lista që është publikuar e them me garanci të plotë që nuk është databaza e sistemit Memex që ka policia kriminale. Ju e dini që na kanë sulmuar. Jemi në hetim, kemi një trupë shumë të mirë nga Microsoft që do rrinë këtu përgjatë. Sistemet do rikuperohen të gjitha. Kemi rikuperuar shumë sisteme në kohë rekord. Ka pasur edhe spekulime. Lista që është publikuar sot nuk është pjesë e databazës së sistemit Memex. Po hetojmë bashkë me FBI”, ka deklaruar ministri Çuçi.
Ndërkaq kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvend, tha se referuar raportit të amerikanëve, sulmi kibernetik nuk e ka dëmtuar sistemin e të dhënave dhe hakerat nuk kanë arritur të marrin informacione të vlefshme.
“Ky është një sulm shumë i madh por nuk e ka realizuar qëllimin, kështu që mos u kuturisni në konkluzione qesharake dhe po ju them prapë që ai sulm nuk e ka realizuar qëllimin”, tha Rama.