Kryeministri, Edi Rama deklaroi se presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan nuk ka ndikuar në vendimin e qeverisë për mbylljen e kolegjit dhe kopshtit turk. Në një intervistë në Euronews Albania ai shtoi se Erdogan nuk mund të japë urdhra në një vend sovran.
Rama u shpreh se Erdogan ka bërë një kërkesë, por në rastet konkrete është vepruar sipas ligjeve në vend.
“Këtu në Shqipëri ka shumë institucione që i përkasin të gjithë këtij zinxhiri. Presidenti Erdogan nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe nuk jep asnjë urdhër. Nuk e jep dot në një vend sovran. Nuk është urdhër, por një kërkesë, historike.
Nga ana tjetër, ka qenë një kërkesë që është bërë gjithmonë. Ne ndërkohë, kemi vepruar sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Nuk kemi vepruar sipas opinioneve apo spekulimeve që bëhen këtu, por sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë”, theksoi Rama.
Rama deklaroi se vendimi për mbylljen e kolegjit turk, “Mehmet Akif” erdhi për shkak se aktiviteti i këtij institucioni arsimor, po kryhej në një godinë, për të cilën nuk kishte marrë miratimin e Ministrisë së Arsimit. Rama u shpreh se mbyllja e kopshtit turk, “Zubeyde Hanim”, u bë pasi nuk plotësoheshin standardet.
“E para, nuk është i pari institucion arsimor që mbyllet. Kemi mbyllur shumë institucione arsimore. Kemi mbyllur 18 universitete. Kemi mbyllur në vijim programe të caktuara, klasa të caktuara, çerdhe, kopshte, shkolla. Mbi çfarë baze i kemi mbyllur? Nuk i kemi mbyllur mbi bazën as se nga vijnë, as të kujt janë, por mbi bazën e ligjit. Për rastin konkret, është shumë i qartë dhe i thjeshtë legjislacioni.
Çuditërisht, ndërkohë që janë mbyllur edhe disa institucione të ngjashme, askush nuk ka thënë asgjë. Ndërkohë, këtu ka një pjesë që hidhet përpjetë. Baza ligjore është shumë e qartë. Nuk mund të hapësh një aktivitet në një godinë të caktuar, pa marrë më parë miratimin nga Ministria e Arsimit. VKM-ja bëhet për të zbatuar ligjin, jo për të shmangur ligjin. Kopshti është mbyllur me motivacionin që ka dhënë Ministria e Arsimit”, – u justifikua kreu i qeverisë. Rama mohoi që Erdogan të ketë ndërhyrë edhe për largimin e kreut të komunitetit mysliman.
“Komuniteti Mysliman Shqiptar është i bazuar në vetë organizim dhe në vetëqeverisje. Qeverisja e Shqipërisë nuk vendos për komunitete” – tha Rama.
Numri një i qeverisë, po ashtu tha se nuk e ka në dorë qeveria hapjen e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.
“Inagurimi i xhamisë së madhe është një çështje që nuk vendos qeveria e Shqipërisë. Nuk e ka peng askush sepse Xhamia e Madhe po ndërtohet me kontributet e Komitetit Mysliman Turk. Janë ata që po e ndërtojnë në një marrëveshje me Komunitetin Mysliman Shqiptar. E vendosin ata se kur i mbarojnë punimet dhe kur duhen hapur dyert. Nuk e vendos qeveria e Shqipërisë” – theksoi kreu i qeverisë. ©LAPSI.al