Superjahti i dytë më i madh, pjesë e flotës së Vladimir Putinit, ka ndryshuar emër dhe është parë sërish në lundrim, i shoqëruar nga një anije e Rojes Bregdetare të Rusisë. Jahti është fotografuar nga reporteri i Carl Groll, më 25 shtator dhe janë publikuar në revistën “Forbes” një ditë më parë. Ai është parë në Kaliningrad, enklavën ruse në Europë, shtatë muaj pasi u largua nga Gjermania për t’i shpëtuar sekuestrimit pas sanksioneve që Perëndimi vendosi ndaj Rusisë.
Jahti, i cili më parë quhej “Graceful” – “I Hijshmi”, tashmë mësohet se ka një emër të ri, “Kosatka”, në shqip, balena vrasëse. Ai vlerësohet se kushton 119 milionë dollarë dhe është i gjatë mbi 81 metra.
Jahti është parë duke lundruar në detin Baltik pranë ishullit estonez Saaremaa dhe mendohet se po drejtohej për nga Shën Pjetërburgu. Nuk dihet nëse jahti ka ndryshuar emër në Kaliningrad, territorin rus që ndodhet mes Lituanisë dhe Polonisë, apo pasi ka dalë në ujëra ndërkombëtarë. Sinjalizuesi i mjetit luksoz lundrues është fikur që prej 30 gushtit të këtij viti, sipas shërbimit të lokalizimit të mjeteve detare “MarineTraffic”.
Jahti u largua nga Gjermania më 7 shkurt, 17 ditë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës. Më 2 qershor, Departamenti Amerikan i Thesarit, vendosi sanksione ndaj këtij jahti – dhe dy të tjerëve – që mendohet se gjithashtu janë të lidhur me Putinin.
Jahti në fjalë ka një pishinë të brendshme, që kur mbulohet shndërrohet në kinema apo pistë vallëzimi, vend për uljen e helikopterëve dhe suita për të mikpritur 12 të ftuar. Anija ka gjithashtu një qilar ku mund të ruhen 400 shishe verë.
Sipas një hetimi të BBC Neës, të publikuar në mars të këtij viti, jahti është në pronësi të kompanisë ruse JSC Argument, aksioneri i vetëm i të cilës, Andrei Gasilov, është sanksionuar nga SHBA. Kompania e tij u raportua se kishte lidhje biznesi me një tjetër kompani që është përfshirë në ndërtimin e “Pallatit të Putinit”, një vilë luksoze gjigante e ngritur në qytezën Gelendzhik në brigjet e Detit të Zi.