Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar me shumicë dërrmuese për të dënuar përpjekjet e Rusisë për të aneksuar katër rajone të Ukrainës.
Rezoluta u mbështet nga 143 vende, ndërsa 35 shtete – përfshirë Kinën dhe Indinë – abstenuan.
Ashti si edhe Rusia, katër vende e refuzuan votimin, përkatësisht Bjellorusia, Koreja e Veriut, Siria dhe Nikaragua.
Edhe pse simbolike, ishte numri më i lartë i votave kundër Rusisë që nga pushtimi.
Javën e kaluar, në një ceremoni madhështore në Kremlin, Presidenti Vladimir Putin nënshkroi dokumente për t’i bërë rajonet lindore të Ukrainës Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson pjesë të Rusisë.
Marrëveshjet u nënshkruan me udhëheqësit e instaluar nga Moska të katër rajoneve dhe erdhën pas referendumeve të vetëshpallura në zonat që u denoncuan si “mashtrim” nga Perëndimi.
Rezoluta i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos e njohë asnjë nga pretendimet e aneksimit të Rusisë dhe kërkon “zhbërjen e menjëhershme të tij”. Po ashtu mirëpret dhe “shpreh mbështetjen e fortë” për përpjekjet për të de-përshkallëzuar konfliktin përmes negociatave.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ishte mirënjohës ndaj vendeve që e mbështetën atë.
“Bota e tha fjalën e saj – përpjekjet [e Rusisë] për aneksim janë të pavlera dhe nuk do të njihen kurrë nga kombet e lira”, shkroi ai në Twitter, duke shtuar se Ukraina do t’i “kthejë të gjitha tokat e saj”.
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, tha se votimi i dërgoi një “mesazh të qartë” Moskës.
“Aksionet e këtij konflikti janë të qarta për të gjithë dhe bota ka dërguar një mesazh të qartë si përgjigje – Rusia nuk mund ta fshijë një shtet sovran nga harta”, tha ai.
Dame Barbara Woodward, ambasadorja e Britanisë në OKB, tha se Rusia kishte dështuar në fushën e betejës dhe në OKB, duke shtuar se vendet ishin bashkuar për të mbrojtur kartën e organizmit botëror.
“Rusia e ka izoluar veten, por Rusia e vetme mund t’i ndalë vuajtjet. Koha për t’i dhënë fund luftës është tani”, tha ajo.
Votimi i Asamblesë së Përgjithshme erdhi pasi Rusia përdori të drejtën e vetos për të parandaluar veprimet në Këshillin e Sigurimit – organi përgjegjës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Si anëtarë të përhershëm, Kina, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar gjithashtu mbajnë veto në këshill.
Ka pasur thirrje që Rusisë t’i hiqet e drejta e vetos pas pushtimit të Ukrainës.