Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se rreziku për një konflikt botëror është tepër i lartë.
Kështu të paktën raporton agjencia ruse e lajmeve “TASS”.
Në deklaratën e tij Putin-i ka akuzuar Ukrainën duke e cilësuar si “një instrument” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Ukraina është bërë një instrument i politikës së jashtme të SHBA-ve dhe praktikisht e ka humbur sovranitetin e saj”.
Për të, konflikti rrezikon përkeqësimin për shkak të konfrontimit gjeopolitik global.
Po ashtu ai theksoi se sabotimi i Nord Stream i “ka shkaktuar dëme kolosale ekonomisë evropiane”.
Më herët, Putin-i vëzhgoi nga distanca stërvitjet e forcave të parandalimit strategjik (forcat strategjike bërthamore), të cilat simuluan një përgjigje ndaj një sulmi bërthamor.
Këtë e ka bërë të ditur ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Këto janë stërvitje që zhvillohen çdo vit dhe si Rusia ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës komunikojnë paraprakisht datën e këtyre stërvitjeve.
Po ashtu Putin ka kërkuar që prodhuesit të “përshpejtojnë” prodhimin e pajisjeve ushtarake.
Kjo tregon një njohje të dukshme të mangësive të vendit në furnizimin e trupave të tyre.
Ai urdhëroi krijimin e Këshillit Koordinues të udhëhequr nga Mikhail Mishustin, kryeministri i vendit, për të përmbushur nevojat e fushatës ushtarake të Rusisë.
Putin theksoi se pajisjet e ushtarit të tij duhet të jenë “efikase dhe moderne”. /Albanianpost.com