Faza e grupeve të Champions League ishte një dështim i plotë për klubin legjendar skocez, Glasgow Rangers. Ai që duhet të ishte rikthimi i bujshëm në kompeticionin më të madh të kontinentit, pas 12 vitesh mungesë, u shndërrua në një makth për Rangers.
Skuadra koleksionoi 6 humbje në 6 ndeshje, duke pësuar 22 gola e duke shënuar vetëm 2. Ky është edhe rekordi absolut më negativ i një klubi në fazën e grupeve. Vendi i parë për paraqitjen më të dobët mbahej deri të mërkurën nga kroatët e Dinamo Zagreb, me 0 pikë dhe diferencë golash -19, gjatë sezonit 2011-2012.
I vetmi lajm i mirë nga e gjithë kjo histori është fakti se në arkat e klubit kanë shkuar plot 15 milionë dollarë, që me siguri do të përdoren për të përforcuar skuadrën për vitin e ardhshëm.
Pas humbjes 3-1 kundër Ajax-it të martën, kapiteni James Tavernier tha për “Bt Sport” se ky ishte një mësim i mirë për të gjithë. “Në këto ndeshje rëndësi kanë detajet”, tha ai. “Rikthimi i klubit në këtë skenë na bëri krenarë, por nuk kemi arritur atë që donim”.
Në një grup me Liverpool, Ajax dhe Napoli-n, Rangers pati pak shanse për të bërë ndonjë gjë. Sipas trajnerit Giovanni van Bronckhorst, skuadra e tij thjesht nuk ishte në nivelin e kundërshtarëve. “Është shumë zhgënjyese që u mbyll kështu. Të gjithë ishim të lumtur që u kualifikuam në Champions League sepse nuk luanim aty prej 12 vitesh”, tha ai për gazetarët pas ndeshjes së të martës. “Por nga ana tjetër kishim përballë shumë skuadra të mira. Sigurisht që duam të jemi sërish këtu vitin e ardhshëm”.
Rangers renditet momentalisht në vend të dytë në kampionatin skocez, me 4 pikë më pak se Celtic.