Mediat angleze, pavarësisht vullnetit për të ushqyer audiencën me ushqimin e preferuar anti-emigracion, zbuluan një të vërtetë që nuk e dinte askush përveç shqiptarëve, që nuk bërtitej nga askush përveç pak mediave të pavarura ose opozitare dhe vetë opozitës.
Cicërima e fundit e Kryeministrit, shpjegon me pak fjalë se si po mundohet propaganda qeveritare ta trajtojë shpopullimin dhe pasojat e rënda që sjell në Shqipëri dhe në vendet pritëse. Duket pikërisht ashtu sic e përshkruan ai në Twitter, mediat e huaja dhe opozita shqiptare kundër Qeverisë dhe imazhit të vendit, ata që akuzojnë qeverinë përballë udhëheqësit të gjithë betejave që i ka vënë gjoksin topave të baltës për të shpëtuar vendin. Në një betejë të tillë, jo vetëm të mbeturit këtu, por edhe të dëshpëruarit që ikin nga sytë këmbët, duhet të jenë me Ramën.
Vetëm nëse e vërteta është komplet e kundërta e propagandës. Nëse nuk do kuptohet se shpopullimi biblik, nuk mund të mos tërhiqte një ditë vëmendjen e vendeve pritëse, që cunami i emigrantëve nuk mund të mos shkaktonte një ditë probleme në brigjet e përmbytura dhe, sigurisht, që problemi nuk mund të mos ekzagjerohej atje ku, qeveritë në vështirësi, kërkojnë një fajtor të jashtëm. Të tre faktorët u bashkuan në Britaninë e Madhe, që i vuri digën cunamit për ta kthyer mbrapsht në vendin e origjinës. Mediat e të gjithë spektrit ndezën dritat e kamerave, montuan stativët dhe filluan të investigojnë vendin e harruar, që ka çuar atje 150 mijë emigrantë, nga të cilët 1500 janë të burgosur.
Papritur, kriza shqiptare, ajo që kryeqytetet e rëndësishme perëndimore nuk e kishin kuptuar dot nga raportet e Komisionit Europian, nga raportet e ambasadave, apo edhe nga organizatat e pavarura, u skanua në detaje. Mediat angleze, pavarësisht vullnetit për të ushqyer audiencën me ushqimin e preferuar anti-emigracion, zbuluan një të vërtetë që nuk e dinte askush përveç shqiptarëve, që nuk bërtitej nga askush përveç pak mediave të pavarura ose opozitare dhe vetë opozitës.
Papritur në mediat perëndimore, shkrimet e sponsorizuara u zëvendësuan me raportime të vërteta nga vendi i ngjarjes, me dëshmitarë okularë të paanshëm politikisht, që flasin për një Shtet të Dështuar, për një qeveri që, pas 9 vjetësh, jo vetëm nuk ka zgjidhur as çështjen e pronës, por e ka shumëfishuar korrupsionin dhe e ka përhapur në çdo qelizë, për të rinj që nuk kanë asnjë shpresë për karrierë pavarësisht diplomës, sepse punësimet dhe karriera janë të prokuruara më parë, ashtu si gjithë paratë e buxhetit.
Qytetarët e gjithë botës mund të shohin ne BBC, apo të lexojnë në The Guardian, The Telegraph apo Daily Mail se si shkollat po mbyllen bashkë me shpresën e fëmijëve për të marrë edukimin fillestar, apo për të kaluar adoleshencën në vendin e tyre.
Se si të gjithë duan të ikin, pavarësisht të ardhurave, për t’i shpëtuar padrejtësisë sociale që është rregulli i vetëm mbizotërues në vend. Duke i parë dhe duke i lexuar këto në mediat e huaja, asnjë shqiptari nuk i bëhet zemra mal, askush nuk ndihet krenar, askush nuk e rilexon të njëjtin raportim diskretitues, por njëkohësisht askush nuk mund të protestojë, sepse nuk mund të thotë se kjo nuk është e vërteta.
Skaneri i hollësishëm i mediave britanike, që tregon pse shqiptarët janë sot në një eksod biblik, i bën të gjithë me turp, pavarësisht përkatësisë partiake, pavarësisht pasaportës që ka sot, pavarësisht vendndodhjes, brenda kufijve, jashtë kufijve, rrugës nëpër kufij apo në mes të Kanalit Anglez. Ai tregon atë që ne nuk mund të ndryshojmë, megjithëse e dimë, tregon atë që kryeministri po investon pa e ndalur njeri, tregon se si shqiptarët, në vend që t’i thyejnë turinjtë, i binden thirrjes së tij, kur u thotë: Ikni nëse doni.
Ikin dhe trajtohen si jetimë, të braktisur nga shteti i tyre, në mëshirën e politikave të Shteteve pritëse. Diku me kontrata pune, por paga të reduktuara, diku pa kontrata pune, në të zezë, diku nëpër kampe emigrantësh me kushte mizerabël, ata ngajnë sot me hebrenjtë e anijes St Louis, që nuk i pranon më njeri.
Çdo fjalë fyese përtej kësaj, është e tepërt, prandaj është i drejtë çdo reagim ndaj deklaratave të Sekretares së Brendshme, Suella Braverman, përveç atij të Kryeministrit. Jo vetëm si shkaktari i një problemi, por edhe si zyrtari më i lartë i vendit, që nuk mund të bëjë replika publike me një vend mik, që nuk mund të thyejë çdo rregull diplomatik dhe nuk mund të përfshihet në një betejë politike të brendshme të një vendi tjetër.
Shpalosjen ndërkombëtare të kësaj të vërtete turpëruese të një qeverisjeje shkatërrimtare, autori Edi Rama mundohet ta mbulojë me teknologjinë e diktaturës komuniste. Për të shmangur të vërtetën, për të injoruar shkaqet përdor strehën e nacionalzmit, për të sfumuar zërin e mediave britanike akuzon opozitën si shkaktare për prishjen e imazhit të vendit.
Kështu e bën të vështirë zgjedhjen, a duhet t’i bashkohemi të vërtetës turpëruese, apo duhet të dalim kundër së vërtetës, për të mbrojtur vendin? Përgjigja sempliste do të ishte në favor të së dytës. Nëse do të zgjidhnim edhe një herë fshehjen e së vërtetës për të ruajtur imazhin, problem do thellohet, emigracioni do të rritet, vendi do të zbrazet, plaga do të bëhet e pashërueshme.