Kanalet e komunikimit mes Uashingtonit dhe Moskës mbesin të hapura. Këtë e konfirmon këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan. Kjo vjen pas refuzimit të Shtëpisë së Bardhë për të mohuar raportimet se Sullivan ka udhëhequr bisedimet me Rusinë për të parandaluar përshkallëzimin bërthamor në luftën në Ukrainë.
“Ne kemi kanale për të komunikuar me Federatën Ruse në nivel zyrtarësh të lartë. Kemi komunikuar me ta kur ka qenë e nevojshme për të qartësuar keqkuptimet e mundshme dhe për reduktimin e rrezikut dhe mundësive të një katastrofe si përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore”, tha Sullivan.
Këshilltari i presidentit Joe Biden shtoi se është në interes të SHBA-ve për të mbajtur kontaktet me Kremlinin, por duke konfirmuar se e kishte shumë të qartë se me çfarë njerëzish kishte të bënte. Ndërsa televizionit NBC i tha se zyrtarë të lartë amerikanë i kanë treguar homologëve rusë kundërpërgjigjen e mundshme të Shteteve të Bashkuara nëse përdoren armë bërthamore.
Sullivan ndër të tjera pohoi se ishte në dijeni të makabriteteve që ushtria e Putinit ka kryer në Ukrainë, disa prej të cilave i ka dëshmuar dhe vetë kur ishte në Kiev javën e kaluar. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti Joe Biden nuk synon të takohet me homologun rus, Vladimir Putin, në samitin e G20-ës. Për negociata kanë folur dhe zyrtarë të Moskës, por jo me Uashingtonin.
Nga Ministria e Jashtme kanë konfirmuar se Rusia është e gatshme për bisedime paqeje me Ukrainën dhe për herë të parë pa asnjë parakusht. Megjithatë Kievi nuk pranon negociata me Rusinë pa tërhequr ushtrinë nga territori i pushtuar.