Cristiano Ronaldo, me shumë mundësi, e ka mbyllur aventurën e tij me Manchester United. Në prag të Botërorit të Katarit, portugezi është “zbrazur” për gjithçka që nuk ka shkuar siç duhet për të te Manchester United, ku është shprehur se është tradhtuar nga klubi.
Në një intervistë për The Sun, ai u shpreh se nuk ka respekt për trajnerin. “Klubi u përpoq të më detyronte të largohesha. Këtë e bëri jo vetëm trajneri, por të gjithë drejtuesit e klubit. U ndjeva i tradhtuar. Ndjej se disa njerëz nuk më duan më tek United, nuk më kanë dashur as sezonin e kaluar. U bëra “delja e zezë” dhe ata nuk kishin empati edhe kur vajza ime ishte e sëmurë”.
Ronaldo më pas foli për zgjedhjen e tij për t’u rikthyer në United:
“Klubi nuk u përmirësua pasi u largua Fergusoni. Kur vendosa të kthehesha këtu, ndoqa zemrën time. Sir Alex më tha se nuk do të ishte e pranueshme për mua që të shkoja në City. Dhe Unë i thashë “ok, shef”. Rangnick? Nëse nuk je trajner, si mund të bëhesh trajner i United? Nuk kisha dëgjuar kurrë për të”.
Edhe pse ende jo zyrtarisht, me deklaratat e fundit, e ardhmja e portugezit duket larg Manchester United që në merkaton e janarit, pas përfundimit të Botërorit.