Diskutimet e vështira për Brexit pritet të rifillojnë të hënën mes britanikëve dhe europianëve, që e kanë gjykuar të pamjaftueshme ofertën e Boris Johnson për të shmangur një divorc kaotik më 31 tetor.
“Propozimet e Britanisë së Madhe nuk përbëjnë një bazë për të arritur një marrëveshje”, deklaroi sot një zëdhënëse e Komisionit Europian, Natasha Bertaud.
Nga ana tjetër, qeveria britanike e konsideron ofertën e saj si një kompromis të drejtë dhe të arsyeshëm.
“Ne dëshirojmë një marrëveshje dhe diskutimet do të vazhdojnë të hënën mbi bazat e ofertës tonë”, theksoi një zëdhënës britanik.
Projekti i kryeministrit britanik, Boris Johnson parashikon t’i japë fund problemit të kufirit irlandez duke shmangur rikthimin e kontrolleve pas Brexit mes Republikës së Irlandës, anëtare e BE-së dhe provincës britanike të Irlandës së Veriut, që do të largohet nga BE ashtu si pjesa tjetër e Britanisë së Madhe./ATSH/