Fanellat janë kthyer në produkte që tifozët i koleksionojnë për të kujtuar momentet më të mira të skuadrës së tyre të zemrës.
Sidomos para një eventi si Botërori, markat e ndryshme të veshjeve sportive përgatisin modele të reja që “përpihen” nga fansat. Por, nuk është ky rasti i Gjermanisë. Sipas gazetës “BILD”, fanella e re Adidas e përfaqësueses gjermane nuk po korr sukses në shitje.
Hans Forster, një tregtar i vogël, shpjegon për këtë gazetë se problemi është dimri: “Kam 100 fanella stok, por kam shitur vetëm 2. Këtë vit është shumë vështirë. Nuk do të transmetohen ndeshje në publik (me ekrane gjigante) dhe gjithashtu është koha e gabuar, pasi duhet veshur xhup sipër fanellës, pasi temperaturat janë 2 gradë”.
Shpresa e tregtarit është që shitjet të rriten me avancimin e Gjermanisë në turne: “Varet nga djemtë, nëse shkojnë larg, shitjet do të rriten”.
Gjermania do të debutojë në datë 23, kundër Japonisë (14:00), në datë 27 luan ndaj Spanjës (20:00) dhe në datë 1 dhjetor kundër Kosta Rikës (20:00), për të mbyllur fazën e grupeve.