Një hetim i SPAK për abuzimet me pronat në Gjirin e Lalëzit ka bindur Gjykatën e Posaçme për të lëshuar një urdhër-arresti për Aleksandër Lahon, të njohurin si “Rrumi” i Shijakut.
Laho është i njëjti që udhëtonte me prokurorin Arjan Ndoja 1 nëntorin e vitit 2019 kur iu bë atentat në aksin Durrës-Tiranë. Për të njëjtin hetim, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” Irgen Kërçukun, ish-jurist në Avokaturën e Shtetit.
Sipas SPAK, Laho dhe Kërçuku janë pjesë e një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të Gjirit të Lalëzit në Durrës.
Hetimi ndaj tyre nisi pasi prokuroria gjeti një video në telefonin e Rrumit, të sekuestruar pas atentatit, ku edhe u plagos. Në videon që dyshohet të jetë regjistruar në vitin 2017 Aleksandër Laho bën “pazar” dhe i jep një shumë parash përfaqësuesit të Avokaturës së Shtetit në këmbim të tërheqjes së tij nga një proces gjyqësor.
Për llogari të këtij hetimit janë sekuestruar dy sipërfaqe toke, plot 403 mijë m2 në total në Gjirin e Lalëzit. SPAK njoftoi të hënën se masa e sigurisë e miratuar nga gjykata u ekzekutua vetëm për të dyshuarin Kërçuku, ndërsa Laho nuk është gjetur.
Nga ana tjetër, Aleksandër Laho është shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit në tetor të këtij viti, si organizator i rrëmbimit të dy vëllezërve Beqiraj në autostradën Tiranë-Durrës, që po planifikonin vrasjen e tij.