Kryediplomati europian, Josep Borrell, ka thënë se Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Europian, kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe. Borrell ka thënë se Kosova do t’u japë fund veprimeve të mëtejshme të lidhura me riregjistrim të makinave, ndërsa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.
Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.
“Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve“, ka thënë Borrell përmes një postimi në Twitter.