Studioja arkitekturore Sofield, me bazë në Nju-Jork, ka zbuluar së fundmi ambientet e brendshme të rrokaqiellit Steinway. Ndërtesa 435 metra e lartë dhe me pamje nga Central Park, Manhatan, është cilësuar si qiellgërvishtësi më i hollë në botë.
Godina 91-katëshe, e njohur gjithashtu si 111 West 57th Street, përmban 46 rezidenca dhe disa duplekse. Fotot e publikuara këtë muaj nga projektuesit shfaqin dizajnet e brendshme, ku mbizotëron guri gëlqeror, mermeri, çeliku dhe druri i lisit. Sigurisht, nuk mugojnë as detajet artistike, pasi në shumë nga korridoret e ndërtesës, janë ekspozuar vepra origjinale nga Picasso dhe Matisse. Luksit të këtij qiellgërvishtësi nuk mund t’i mungonte një pishinë e brendshme e rrethuar nga palmat, si dhe një restorant i zbukuruar me ornamente ari dhe argjendi.
Sipas projektuesve, ambientet e brendshme të Kullës Steinway ishin ideuar për të evokuar madhështinë e epokës së fundshekullit të 19-të në Nju-Jork, periudhë kjo kur në bulevardet e vendit nisën të ndërtoheshin pallate madhështore. Qiellgërvishtësi ndodhet në një rrugë në Midtown, e mbushur me kulla të shndritshme, që njihet si “Rreshti i Miliarderëve”.
“Ne të gjithë kemi qenë në vende shumë luksoze, por unë doja të krijoja një ndërtesë që nuk mund të ishte askund tjetër në botë. E di se njerëzit që do vijnë këtu mund të kenë shtëpi të shumta. Por doja të krijoja një përvojë shumë të veçantë që mund të përjetohej vetëm në Nju-Jork.”
Themeluesi i Studio Sofield, William Sofield
Steinway është gjithashtu një nga ndërtesat më të larta në hemisferën perëndimore, duke lënë pas One World Trade Center dhe Central Park Tower. Rrokaqiejt super të hollë, të njohur gjithashtu si kulla-laps, u përhapën në Hong-Kong në vitet 1970. Që atëherë, qytetet e mëdha si Nju-Jorku kanë ndjekur këtë shembull. Rezidencat në këtë rrokaqiell variojnë me çmime nga 7.75 milionë dollarë deri në 66 milionë dollarë.