David Beckham ka udhëtuar në Katar për të ndjekur Kupën e Botës pa gruan Victoria dhe fëmijët. Gjithashtu, në Doha, ish-futbollisti i Manchester United dhe Real Madrid ka shkuar edhe për biznes. Për këtë arsye, ai nuk është kursyer dhe e ka rrethuar veten me luks.
Siç ka publikuar “Daily Mail”, Beckham ka kaluar gati një javë në hotelin me 5 yje “Mandarin Oriental”, në Doha, që ndodhet në lagjen ekskluzive Mesheirb. Një hotel që i ka të gjitha llojet e komoditeteve dhe anglezi ka qëndruar në një nga suitat më të mëdha, suita Baraha View, e cila ka zonën e saj të ngrënies, një oborr të hapur, një pishinë dhe një palestër.
Një dhomë në katin e fundit kushton 23 000 euro në natë dhe ish-futbollisti është larguar tashmë nga ajo, pasi u përhap fjala se ku po qëndronte. Sipas “Daily Mail”, stafi i thërriste “Sir David” sepse ai ishte shumë i respektueshëm me punëtorët e hotelit. Klientët e tjerë të hotelit nuk e kanë parë shumë vërdallë sepse ai qëndronte në një suitë të bukur që është si një hotel brenda një hoteli, që do të thotë se ai nuk kishte nevojë të përzihej me të tjerët. Për të hyrë e dalë nga hoteli pa u parë, ai e ka bërë këtë nga një dalje private në holl.
Përveç kësaj, burimet e “Daily Mail” kanë rrëfyer se ish-kapiteni i Anglisë kishte një kuzhinier personal që i përgatiste ushqime speciale që nuk ishin në menunë e hotelit.