Genta dhe Eki Rrahmani janë dy shqiptarë të cilët jetojnë në Katar dhe kanë treguar përjetimet dhe emocionet para dhe pas ndeshjes Serbi-Zvicër.
Në një intervistë për Euronews Albania, Eki u shpreh se pas ndeshjes, e kanë sulmuar disa tifozë serbë pasi ai kishte veshur një bluzë me simbolet shqiptare si dhe kishte flamurin kombëtar.
Ai nënvizoi se edhe të vëllain, e goditën me shishe. Pranë tyre, ndodheshin disa policë, të cilët qetësuan situatën.
Ndërsa, Genta deklaroi se ndeshjen e ndoqi nga shtëpia, pasi nuk ndodhej në gjendje të mirë shëdetësore.
“Në atë moment, kur dolëm nga jashtë, e ndërrova bluzën prapë. Po shkonim te parkingu për të marrë makinën. Ka qenë 2 kilometra larg stadiumit. Kur kemi kaluar perimetrin e parë të stadiumit, 400-500 metra, na kanë gjuajtur me ujë. Vëllain e kanë gjuajtur me shishe uji. Ai ka ikur për të thirrur policinë, unë e gjeta veten me 15 të tjerëve. Kishim fat që ndodhi aty që kishte disa policë”, theksoi Eki Rrahmani.