Televizionet N1 dhe Nova S kanë ndërprerë transmetimin e programeve të tyre të rregullta në Serbi.
Në vend të kësaj, në ekran shkruhej mesazhi “Errësirë në Serbi, nuk ka media të lira”.
Këto dy televizione, të cilat operojnë në kuadër të kompanisë United Media, pas mesnate kanë publikuar të njëjtin mesazh në profilet e tyre në rrjetet sociale, por nuk kanë dhënë shpjegime shtesë.
Në seancën e sotme parlamentare, deputetët e opozitës në Kuvendin e Serbisë kanë mbështetur televizionet N1 dhe Nova S duke u ngritur në këmbë dhe duke mbajtur letrat e zeza me të njëjtin mbishkrim.
Në momentin kur përfaqësuesit e mediave kanë hyrë në sallë, tabela është ngritur nga deputetët e grupit parlamentar të Bashkuar, Partia Popullore, DS, Moramo-Zajedno dhe Klubi i Majtë e Gjelbër.
Ndërkohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se këto media vetvetiu kanë ndërpre transmetimet televizive.
“Mendoj se është e rëndësishme të thuhet se askush nuk e ka errësuar raportimin, ata e kanë bërë vetë. Nëse ata vetë kanë vështirësi të shprehen, atëherë ky është një problem për ata dhe pronarin e tyre. Unë nuk mund t’ju shpjegoj se sa i tronditur është dikush që një manjat i medias dhe i futbollit dëshiron të bëjë pak më shumë para. Asgjë e veçantë, por pajtohem që duhet të diskutohet për ato media ku ka mungesë evidente të lirisë së mediave dhe ku ka tentime të këqija për të imituar Mila Shtulën, si dhe shumë të tjera”, tha Vuçiq.
Ndryshe, Dragan Solak është pronar i kompanisë United Group dhe njëkohësisht i klubit të Ligës Premier, Southampton.