Dje pasdite (06.12.), para Asamblesë Kombëtare të Québec (Parlamenti provincial) qeveria e Kryeministrit Legault, përmes Ministrit të Institucioneve Demokratike, Jean-François Roberge, paraqiti Projektiligjin 4, që ka për objekt ta kthejë në opsional betimin e deputetëve provincialë për besnikëri ndaj Mbretit të Anglisë.
Miratimi i këtij projektligji pritet të zgjidhë dhe ngërçin e krijuar për tre deputetët e Parti Québecois (PQ) Paul St-Pierre Plamondon, Pascal Bérubé dhe Joël Arseneau, të cilët refuzuan t’i betohen Charles III dhe deri tani nuk janë lejuar të ulen në sallën e Parlamentit. Meqenëse të gjitha partitë parlamentare janë dakord në parim për thelbin e projektligjit, miratimi pritet të bëhet pa debat.
Më 1 dhjetor, tre deputetëve të PQ iu refuzua hyrja në sallonin blu nga oficerët e sigurisë së Parlamentit dhe kërkesa paraprake e kreut të Parti Québécois, Paul St-Pierre Plamondon, për të miratuar një mocion që përcaktonte se një deputet mund të ulet sallë edhe nëse refuzon të bëjë betimin ndaj Monarkisë Britanike, nuk u konsiderua e mjaftueshme nga qeveria. “Një mocion nuk ka fuqinë e ligjit për të modifikuar Aktin Kushtetues të vitit 1867”, pat deklaruar Ministri i Drejtësisë Simon Jolin-Barrete.
Projektligji 4 i paraqitur dje parashikon shtimin e një neni në Aktin Kushtetues të 1867, i cili heq detyrimin që Québec të zbatojë nenin 128 të Aktit, ku parashikohet detyrimi për besnikëri ndaj sovranit britanik.
Nga ana e tij, kreu PQ, Paul St-Pierre Plamondon u shpreh se në të ardhmen edhe provincat e tjera mund të ndjekin shembullin e Québec, që me këtë ndryshim, sipas tij, po i jep fund kolonializmit. Për Plamondon, “thelbi i kolonializmit është kur deputetët e zgjedhur nuk mund të hyjnë dot në Dhomën e Përfaqësuesve pa u betuar para Mbretit të Anglisë”.