Situata e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdon të mbetet e brishtë, pas sulmeve të vazhdueshme ndaj institucioneve të sigurisë.
Tensionet janë shtuar edhe më shumë gjatë së shtunës, kur në mbrëmje një shok bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit.
EULEX-i bëri të ditur se “asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, por i cilësoi sulmet e tilla të papranueshme.
“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e EULEX-it në Facebook.
Sulmi i tillë u dënua gjerësisht nga institucionet e Kosovës, SHBA, NATO, Bashkimi Evropian derisa nga Serbia pretendojnë se protestuesit dhe barrikaduesit janë njerëz paqësorë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ta garantojë lëvizjen e lirë në veri, duke thënë se ky është edhe misioni i tyre – garantimi i “një ambienti të qetë dhe të sigurt, i cili nënkupton edhe lirinë e lëvizjes pa dallim”.
Pas takimit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, kryeministri Kurti bëri të ditur se po pret që KFOR-i të largojë barrikadat në rrugët e bllokuara në veri.
“Ne po presim. KFOR-i po kërkon pak kohë që shpejt ta kryejë këtë punë dhe ne po presim”, u shpreh Kurti të dielën, në një konferencë për media.
Sulmi ndaj patrullës së EULEX-it u dënua edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
“Shtetet e Bashkuara i bashkohen EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrulle mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari para sistemit të drejtësisë në Kosovë”, shkroi ambasadori Hovenier.
Më vonë në një deklaratë të përbashkët, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd, kanë forcuar kundërshtimin ndaj barrikadave në veri.
SHBA tha se arrestimi i qytetarit serb, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale.
Britania poashtu ka dënuar ashpër sulmet ndaj agjencive vendore të sigurisë dhe EULEX-it.
Ministrja e Jashtme gjermane nga ana tjetër tha se janë “të papranueshme” sulmet mbi misionin e BE-së në Kosovë, EULEX.
Nga ana tjetër Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, dënoi ashpër sulmin ndaj patrullës së EULEX-it, por i njëjti nuk e tha asnjë fjalë për sulmin ndaj policëve të Kosovës
Borrell përmes një postimi në Twitter shkroi se “Bashkimi Evropian nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it në Kosovë apo përdorimin e akteve të dhunshme kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Duhet të rivendoset qetësia. EULEX-i do të vazhdojë të bashkërendohet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in”, tha ai duke bërë thirrje për shmangie të përshkallëzimit të situatës.
E ndaj Borrellit reagoi ministrja e Jashtme e Kosovës, e cila i bëri thirrje kryediplomatit evropian që të dënojë edhe sulmet ndaj policëve të Kosovës.
“Çdo jetë ka rëndësi. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell gjithashtu duhet të dënojë të shtënat ndaj Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke përmbushur detyrën e tyre dhe duke mbrojtur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës nga sulmet e bandave kriminale. Deklaratat që nuk dënojnë Vuçiqin për agresionin e tij të hapur inkurajojnë përshkallëzimin e mëtejshëm”, ka shkruar Gërvalla.
Për deklaratën e Shefit të politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, reagoi edhe kryeministrja e Serbisë në mënyrën e vet duke justifikuar barrikadat e paligjshme në veri të Kosovës.
“Interesante, ata nuk janë aq të zëshëm për paligjshmërinë e arrestimit të serbëve, për shembull Dejan Pantiqit, i cili u arrestua dje pa asnjë provë, apo kur policia e Kosovës shkel marrëveshjen e Brukselit duke hyrë të armatosur në komunat me shumicë serbe në veri me pushkë/tyta të gjata”, shkroi Bërnabiq duke pretenduar se “ata njerëz në barrikada shprehin qartë protestën e tyre dhe e bëjnë në mënyrë paqësore”.
Për ngjarjet e fundit në veri ka pasur reagime edhe nga Shqipëria dhe faktori politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Policia e Kosovës raportoi për disa sulme ndaj pjesëtarëve të saj gjatë së shtunës por pa dëme në njerëz.
Grupe serbësh bllokuan sërish rrugët pas njoftimit për arrestimin e një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarëve policor gjatë javës, ndërsa po bëheshin përgatitje për zgjedhjet komunale në veri.