Nikita Chibrin, një dezertor i ushtrisë ruse kujton se si një nga shokët e tij të repartit përdhunoi dhe vrau brutalisht dy gra ukrainase në veriperëndim të Kievit.
Chibrin, i cili vjen nga qyteti rus i Yakutsk, ka shërbyer në repartin 64 të Brigadës “Separate Guards Motor Rifle”, kujton se si ushtarët e tjerë bashkëkombës kanë kryer krime monstruoze dhe përdhunime në masë gjatë ofensivës së tyre në qytetet e Buchas, Borodiankas dhe fshatra të tjerë në veri të Kievit.
Edhe pse Kremlini zyrtar e mohon që të ketë kryer vrasje në masë në qytetet ukrainase, rrëfimet e ushtarëve dezertorë si Nikita dëshmojnë krejt të kundërtën, ku përveçse akuzojnë bashkëkombësit e tyre për vrasje brutale, thonë se ata kanë kryer edhe përdhunime grash dhe vajzash të pafajshme ukrainase, të cilët më pas edhe i kanë vrarë.
Por, përveç kësaj, Nikita thotë se ushtarët rusë kudo ku hynin merrnin gjithçka që u dilte përpara që nga sendet personale, bizhuteritë apo edhe aparate elektronike si laptopë, kompjuterë dhe i-Pad.
Chibrin shpreson dhe është i bindur që Rusia do ta humbë këtë luftë në të cilën ka hyrë, por kjo sipas tij nuk do të ndodhë para se të merren edhe shumë jetë të tjera.
Ai deklaron gjithashtu se si është mashtruar nga përfaqësues të lartë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, të cilët jo vetëm ia kanë bërë “fushë me lule” luftën atje, por i kanë thënë që thjesht do të shkojnë për të monitoruar situatën, ndërsa do të marrin edhe shpërblime monetare të konsiderueshme.