Franca arriti në finalen e Kupës së Botës, por është shumë e alarmuar për shkak se disa lojtarë janë prekur nga simptoma të ngjashme si ato të gripit.
Dy lojtarët më të prekur janë Upamecano dhe Rabiot, të cilët nuk mundën të luanin asnjë minutë kundër Marokut në gjysmëfinale. Për më tepër, Rabiot qëndroi në hotel, i izoluar. Në Katar ka shqetësim për këtë virus të njohur si “virusi i devesë”, që po prek shumë prej atyre që ndjekin Kupën e Botës.
Vetë trajneri francez, Didier Deschamps, ka bërë të ditur se përveç lojtarëve të sipërpërmendur, ka edhe një tjetër futbollist me të njëjtat simptoma. Ky është Kingsley Coman, i cili gjithashtu nuk ka mundur të marrë pjesë në ndeshjen gjysmëfinalen.
“Edhe Coman kishte ethe këtë mëngjes. Në Doha, temperaturat kanë rënë pak, por ende kondicioneri mbahet ndezur gjatë gjithë kohës. Kemi pasur disa raste me simptoma të ngjashme me gripin. Po mundohemi të jemi të kujdesshëm që të mos përhapet”, tha trajneri i Francës.
Deschamps shpjegoi se çfarë protokolli po përdoret që futbollistët e sëmurë të jenë të pranishëm në finalen e së dielës dhe që gjithashtu të mos ketë raste të reja.
“Dayot Upamecano u ndje keq menjëherë pas ndeshjes kundër Anglisë. Ndodh kur sforcohesh aq shumë, trupi dobësohet dhe është më i prirur për t’u kapur nga këto viruse. Ne po marrim të gjitha masat e nevojshme, po përpiqemi të sigurohemi që të mos përhapet, por viruset janë sigurisht infektive dhe duhet të marrim masa paraprake kundër tyre”, deklaroi Deschamps.