Skandali te Onkologjiku, prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon në gjyq 6 persona

albnews
By
4 Min Read

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq gjashtë persona të përfshirë në skandalin e vitit 2024 te Onkologjiku në QSUT.Çështja fillimisht u shqyrtua nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila shpalli moskompetencën për dosjen “Onkologjiku”, duke veçuar hetimin vetëm për mjekun Edmond Gashi, ndërsa pjesa tjetër iu referua Prokurorisë së Tiranës si organ kompetent.Në mesin e të pandehurve janë ish-zv.drejtoresha e QSUT, Brikena Qirjazi, si dhe Alketa Pere, Emiljano Lela, Drilona Kishta, Halil Gashi dhe Florjan Marku, të cilët akuzohen për vepra penale si “Shpërdorim detyre”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”

Sipas hetimeve, pacientët me sëmundje tumorale nuk merrnin shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por orientoheshin drejt klinikave private, ku paguanin tarifa të larta për trajtime që duhej t’i përfitonin falas në QSUT.Prokuroria thotë se ka dokumentuar që koordinatori i shërbimit, Emiljano Lela, ndërhynte në mënyrë të paligjshme në listat e pritjes, duke përzgjedhur pacientë dhe duke i drejtuar drejt klinikave private në këmbim të përfitimeve financiare.Po ashtu sipas prokurorisë, administratorja Alketa Pere rezulton se ka dërguar pacientë në privat në kundërshtim me rregullat ligjore dhe procedurat mjekësore, ndërsa ish-zv.drejtoresha Brikena Qirjazi akuzohet se nuk mori masat e nevojshme për funksionimin e shërbimit dhe për vënien në punë të pajisjeve jetike për trajtimin e pacientëve.Një nga elementët e tjerë të dosjes lidhet me një aparaturë të kobalt-terapisë, e instaluar pranë Onkologjikut, e cila nuk u vu në funksion. Sipas Prokurorisë, pajisja u mbajt në kushte të papërshtatshme dhe pa ndërtimin e një bunkeri antiradioaktiv sipas standardeve ndërkombëtare, duke u kthyer potencialisht në rrezik edhe për personelin mjekësor.Po ashtu nga hetimet, dyshohet se specialistja Drilona Kishta kishte hartuar një ekspertizë të pasaktë mbi menaxhimin e burimeve radioaktive, çka çoi në vendimmarrje të gabuar dhe dëm ekonomik për institucionin.Ndërkohë, Halil Gashi akuzohet për fshehje të të ardhurave dhe moslëshim faturash tatimore për shërbimet mjekësore, ndërsa Florjan Marku dyshohet se ka tregtuar barna kontrabandë, përfshirë medikamentin “Valamor”.Kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq i është paraqitur Gjykatës Penale të Tiranës, e cila pritet të vendosë mbi kalimin ose jo të saj për shqyrtim gjyqësor.Ndërkohë, SPAK vijon hetimet për persona të tjerë në kuadër të së njëjtës çështje, duke bashkuar disa procedime në një të vetëm, ku përfshihet edhe dosja e njohur si “Kobalti”. Gjatë kësaj kohe janë kryer ekspertiza, kontrolle në Onkologjik, verifikime faturash dhe deklarimesh doganore, si dhe janë marrë dëshmi dhe janë analizuar pajisjet e përdorura.Skandali u bë publik në vitin 2024 dhe çoi në shkarkimin nga detyra të disa zyrtarëve dhe mjekëve me urdhër të ministres së Shëndetësisë të asaj kohe, Albana Koçiu, e cila e cilësoi situatën si të papranueshme dhe deklaroi se “ata mjekë nuk mund të ndotin bluzat e bardha”.

Share This Article