Të premten, Japonia ka miratuar ndryshimin më të madh në çështjet e mbrojtjes që nga Lufta e Dytë Botërore. Bëhet fjalë për një udhërrëfyes i ri për dekadën e ardhshme, në të cilin objektivi është të përmbajë ngritjen ushtarake të fqinjit të tij, Kinës, dhe të ruajë pozicionin e dominimit të Shteteve të Bashkuara në rajonin Azi-Paqësor.
Kjo kthesë do t’i lejojë vendit japonez të nisë “kundërsulmet” në tokat e armikut, pas disa dekadash të një kulture më të fokusuar në vetëmbrojtje. Tre dokumentet e miratuara këtë të premte nga ekzekutivi japonez përfshijnë gjithashtu një rritje prej 50% të shpenzimeve ushtarake për pesë vitet e ardhshme. Para që, sipas mediave lokale, do të shkojnë për blerjen e rreth 500 raketave Tomahaëk të prodhimit amerikan dhe shpenzime për mbrojtjen nga raketat.
Ken Jimbo, një profesor në Universitetin Keio, e sheh këtë strategji të re ushtarake si “një nga ndryshimet më të rëndësishme në Japoninë e pasluftës”, që vjen si nevojë për t’iu përshtatur një skenari në të cilin “epërsia ushtarake e Tokios dhe veçanërisht e SHBA-së, aleati i saj kryesor dhe garantuesi i mbrojtjes së saj kundër Kinës, nuk mund të merret më si e mirëqenë”.
Një përgjigje ndaj përparimeve të fundit nga Kina, e cila ka forcuar aftësitë e saj kundër anijeve, balistikës dhe raketave lundruese. Së bashku me një dominim në rritje të luftës kibernetike, nga Japonia ata i frikësohen një “bllokimi të mundshëm ajror dhe detar në rajon” nga Pekini. Në këtë mënyrë, thotë eksperti, Tokio kërkon të garantojë se “Shtetet e Bashkuara mund të vendosin asete dhe të kenë akses operacional në një zonë të mundshme lufte”. Ndër skenarët e mundshëm, ai përmend një pushtim teorik të Tajvanit.
Plani i prezantuar këtë të premte nga kryeministri Fumio Kishida, bazohet në tre shtylla themelore: Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes dhe Plani i Zhvillimit të Forcave të Mbrojtjes. E para prej tyre është ajo që parashikon opsionin e “kryerjes së kundërsulmeve efektive në territorin e kundërshtarit”. Kushtetuta japoneze vendos kufizime të forta në aftësitë operacionale të Forcave të Vetëmbrojtjes, të paaftë për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare me dhunë.
Ndryshimi i Japonisë, sipas Jeff Kingston, drejtor i Studimeve Aziatike në Universitetin Temple në Japoni, i përgjigjet dëshirës së Japonisë për të “qenë në të njëjtin nivel me Shtetet e Bashkuara brenda aleancës dypalëshe të sigurisë, në vend të dëshirës për të zhvilluar një politikë më të mbështetur te vetja dhe aftësitë mbrojtëse”.
Vitet e fundit, Kina ka rritur ndjeshëm garën e saj të armëve. Nëse në vitin 2005 shpenzoi një shumë të ngjashme me atë të Japonisë, në vitin 2020 vlerësohet se buxheti ishte pesë herë më i lartë për shpenzimet ushtarake.
“Nëse Japonia nuk rrit shpenzimet e saj për mbrojtjen, balanca e fuqisë në rajon mund të bëhet edhe më e pabalancuar”, shpjegon Jimbo.
Nga ana e tij, Kingston përmend pushtimin rus të Ukrainës dhe testet e përsëritura të raketave të Koresë së Veriut si arsyet që e kanë shtyrë Japoninë të marrë këtë vendim.