Qeveria britanike konfirmoi se do të zgjerojë dhe më shumë një program që inkurajon huadhënësit të ofrojnë 95% kredi hipotekore për ata që blejnë për herë të parë një shtëpi, në një kohë që tregu i banesave po shënon rënie të vazhdueshme.
Skema e garancisë së hipotekës u prezantua në prill të 2021-shit dhe do të duhej të përfundonte në fund të këtij viti. Por në vend të kësaj do të vijojë të jetë në fuqi deri në fund të vitit 2023. Sipas të dhënave të konfirmuara më shumë se 24 mijë familje kanë përfituar nga hipoteka sipas këtij programi.
Shtrirja në kohë vjen pasi huadhënësit raportuan rënie të cmimeve të shtëpive përballë rritjes së normave të interesit të hipotekave dhe një tkurrje të të ardhurave të blerësve. Në muajin tetor, inflacioni në Britani arriti në nivelin më të lartë të 41 viteve.
Sipas ministrisë së financave zgjerimi i kësaj skeme nënkupton se mijëra britanikë të tjerë do të kenë mundësinë për të përfituar, si dhe njëkohësisht mbështetet dhe tregu në këto kohë të vështira.
Huadhënësi hipotekor Halifax parashikoi një javë më parë se cmimet e banesave do të bien me 8% vitin e ardhshëm, ndërsa në nëntor u regjistrua rënia më e madhe mujore e cmimit të shtëpive që nga viti 2008.
Sipas skemës së garancisë së hipotekës, qeveria merr një tarifë nga huadhënësit në këmbim të mbulimit të pothuajse të gjithë rrezikut shtesë 95% të kredisë në vlerë të një hipoteke. Tarifa ka për qëllim të mbulojë humbjet e pritshme dhe kostot e administrimit.
Cmimet e shtëpive në Britani u rritën pas fillimit të pandemisë së Covid, duke e bërë të vështirë për shumë persona që donin të blenin shtëpi për herë të parë, që të gjenin një depozitë më të madhe se 5%.
Skema e garancisë së hipotekës mund të përdoret për të financuar blerjet e shtëpive që kushtojnë deri në 600 mijë paund.
Banka e Anglisë ka paralajmëruar se njerëzit me kredi hipotekore ka të ngjarë të jenë nën presion më të madh financiar gjatë vitit të ardhshëm, por janë në një pozicion më të fortë se përpara recesioneve të mëparshme në 2008-2009 dhe në fillim të viteve 1990.
Dorina Kurtaj / SCAN