Malet, kanionet, plazhet dhe lagunat e rajonit Friulia Venecia përbëjnë disa nga peizazhet më të bukura dhe më të larmishme të Italisë, por pak njerëz i njohin dhe i vizitojnë.
Vendosur në kufirin verilindor të vendit, kufizuar me Slloveninë dhe Austrinë; pushtuar dikur nga perandoria austro-hungareze; me një konglomerat gjuhësh dhe kulturash.
Të gjitha këto, kanë bërë që ky rajon të duket sikur nuk është pjesë e Italisë, ndaj dhe turistët që e vizitojnë janë të paktë. E megjithatë, thonë vendasit, ia vlen të vizitohet po aq sa pjesa tjetër e Italisë.
“Ndryshe nga rajonet e tjera, ne nuk jemi të reklamuar shumë, ndaj jemi larg turizmit masiv. Rajoni ynë përbëhet nga një plejadë qytetesh të vogla e të bukura dhe me tradita të ndryshme.”
Udhërrëfyese vendase, Roberta Bressan
Ky rajon dallohet për natyrën e mrekullueshme me male, liqene dhe det. Megjithatë, shquhet për mrekullitë gjeologjike si labirintet e shpellave, grykave dhe kanioneve. Shumë e famshme është shpella nënujore e liqenit Gorgazzo, me ngjyrat e pabesueshme tropikale blu dhe jeshile. Po ashtu, aty gjendet edhe Grotta Gigante, ose Shpella Gjigante, një nga shpellat më të mëdha turistike në botë. Friuli ia vlen të vizitohet edhe për bregdetin shumë të bukur. Qyteti-lagunë i Grados, Lignano Sabbiadoro dhe Trieste krenohen me plazhet e tyre unike.
Trieste është një destinacion më vete. Kryeqyteti i Friulit nganjëherë njihet si Vjena e Vogël e Italisë, sepse trashëgimia austro-hungareze pasqyrohet në arkitekturën dhe atmosferën vendase. Qyteti shquhet gjithashtu me një nga sheshet më të mëdha të Evropës, Piazza Unità D’Italia, me pamje nga deti dhe i rrethuar nga pallate elegante që reflektojnë madhështinë perandorake të së kaluarës.
Erërat e forta që ndonjëherë godasin Triesten me shpejtësi deri në 160 kilometra në orë, kanë bërë që Barcola një zonë pak në periferi të Triestes, të tërheqë më shumë se 2000 varka dhe jahte nga e mbarë bota, çdo tetor.
Përveç natyrës mbresëlënëse, vendeve arkeologjike, kështjellave dhe porteve, turistët mund të shijojnë edhe kuzhinën mare e monti (det dhe male) të Friulit. Për shumë artistë, Friuli Venezia Giulia, mund të thuhet se ka një “shpirt të dyfishtë”, ku ndërthuret aristokracia e qyteteve me traditat e lashta të fshatrave të thella malore.