Zimbabve ka prezantuar një projekt për të zgjidhur çështjen e mbipopullimit në kryeqytetin e saj, Harare.
Në këtë qytet banojnë rreth 1,6 milionë persona dhe për këtë arsye, autoritetet e shtetit afrikan kanë vendosur të ndërtojnë një qytet të ri në malin Hampden, 17 kilometra larg kryeqytetit, përmes një investimi prej 60 miliardë dollarësh.
Siç shpjegohet nga “Bloomberg”, synimi është që në malin Hampden të vendoset Parlamenti, selia e Bankës Qendrore, Gjykata e Lartë, qendrat e ankandeve të mineraleve, bursa, Pallati Presidencial dhe shumë vila luksoze.
“Mali Hampden është Harare e re. Aty tashmë është ndërtuar ndërtesa e parlamentit dhe të gjithë ministrat po zhvendosen atje” thotë Shaji Ul Mulk, një miliarder që mbështet planin dhe ka investuar 500 milionë dollarë në të. Shaji Ul Mulk beson se kur të përfundojë, qyteti do t’i ngjajë Dubait, ku ai jeton aktualisht.
Të paktën 12% e 250 vilave luksoze që do të ndërtohen në fazën e parë të projektit janë blerë tashmë, sipas Ul Mulk, i cili nuk ka zbuluar identitetin e blerësve, por çmimin e secilës shtëpi: më shumë se 500 milionë dollarë. Sipas faqes së internetit të qeverisë së Zimbabves, qyteti do të ketë një sipërfaqe prej 2,5 milionë metrash katrorë dhe do të strehojë një nga kullat më të larta në Afrikë.
Por, Stephen Chan, profesor i politikës botërore në Shkollën e Studimeve Orientale dhe Afrikane në Londër, thotë për “Bloomberg” se ky qytet i ri luksoz tregon “një shqetësim të elitës në pushtet për të mos prishur jetën e tyre duke parë pisllëkun dhe varfërinë që i rrethon.
Në Harare mbeturinat grumbullohen rrallë, furnizimi me energji elektrike është me ndërprerje dhe shumë lagje nuk kanë shërbim të mirë të ujësjellësit prej vitesh. Ndërtesat tregtare përfaqësojnë 40% të totalit të ndërtimit, megjithatë qendra e qytetit është plot me shitës ambulantë.
Zimbabve nuk po kalon një moment të mirë. Sipas Bloomberg, monedha e saj ka rënë, normat e interesit janë më të lartat në botë dhe inflacioni vjetor është 244%. Pavarësisht problemeve ekonomike dhe strukturore të Zimbabves, projekti Mali Hampden ka tërhequr vëmendjen e Kinës, e cila tashmë ka ndërtuar ndërtesën e re të parlamentit në qytetin e ardhshëm kibernetik. Edhe pse kushtoi 140 milionë dollarë, Kina ia dhuroi ndërtesën qeverisë së Zimbabves.