Inspektorati i Tregut në vazhdën e inspektimeve të intensifikuara ka kryer edhe inspektime lidhur me verifikimin e sasisë dhe peshës së produkteve nëpër operatorët ekonomik në Republikën e Kosovës.
Sipas një njoftimit të Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për ta hequr çdo dyshim lidhur me peshën dhe sasinë e produkteve, mostrat janë dërguar në laborator për analiza përkatëse, pas të cilave ka rezultuar se një lloj i vajit ushqimor në treg nuk i plotëson kriteret.
“Raporti i verifikimit nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, gjegjësisht laboratori i parapaketimeve ka konstatuar se një vaj ushqimor, i prodhuar në Serbi, nuk e plotëson kriterin e mesatares për sasi siç e parasheh rregullorja 03/2020 për produktet e parapaketuara. Si rrjedhojë Inspektorati i Tregut, si në çdo rast tjetër ka ndërmarrë masa në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, respektivisht operatorit ekonomik, importues i këtij vaji , i është ndaluar shitja e këtij produkti dhe tërheqja nga tregu në afat prej 15 ditësh.
Inspektorati i Tregut i Republikës së Kosovës, në vazhdimësi kryen verifikime dhe inspektime në terren me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit e poashtu do të vazhdojë t’a bëjë të njëjtën gjë edhe gjatë ditëve në vazhdim. Me këtë rast ftojmë qytetarët-konsumatorë që të jenë të vëmendshëm gjatë blerjeve, dhe për çdo shkelje të të drejtave të konsumatorit, të vazhdojnë të adresojnë ankesat/njoftimet në Inspektoratin e Tregut, përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Për çdo rast qytetarët ftohen të raportojnë në: Tel: 0800 11000 ose e-mail: Konsumatori@rks-gov.net. Të gjitha kërkesat dhe raportimet tuaja do të shqyrtohen me kujdes. Ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj”.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë