Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është duke zhvilluar paraditen e së shtunës një bashkëbisedim “live” me ndjekësit e tij në mediat sociale.
Në fjalën e tij përpara pyetjeve, kryedemokrati theksoi se kryeministri Edi Rama “korruptoi një nga njerëzit më të fuqishëm në fushën e zbulimit”, me synimin për të shkatërruar opozitën. Berisha kujtoi se paraardhësin e tij Lulzim Basha opozita e “futi në thes” dhe më pas tentoi të rrënonte atë vetë.
Ndërsa kujtoi se për të gjatë karrierës janë përdorur dy epitete; shumë pro amerikan dhe i pakorruptuar, Berisha akuzoi Ramën se me anë të një lobimi korruptiv arriti të merrte firmën e Blinken-it për ta shpallur non grata.
Akuzat u përsëritën edhe për ambasadoren amerikane Yuri Kim, që sipas Berishës, “nuk ka gur pa luajtur” për të ndihmuar kreun e qeverisë që të kontrollonte opozitën.
Sot pas 32 vitesh, për ironinë më të madhe të fatit, vendi që kontribuoi më shumë se kushdo tjetër në përmbysjen e sistemit komunist në Europë, dëshmohet, apo eksponentë të këtij vendi në zbulim, në demokraci, dëshmohen mbështetësit më fanatikë të regjimit të Edi Ramës.
Angazhohen me të gjithë potencialin e shtetit të tyre të madh, vendit të lirisë, për rrënimin e opozitës shqiptare dhe shndërrimin e Shqipërisë në një shtet monopartiak siç ka qenë 46 vite. Sundim i cili nuk bazohet më në doktrinën marksiste dhe leniniste, por në krimin, drogën dhe vjedhjen.
Është tragjike kur mendon se si pasaardhësi i Spiro Kolekës, pasardhësi i Kristaq Ramës, xhelatë të vërtetë të diktaturës, korrupton një nga njerëzit më të fuqishëm në fushën e zbulimit në planet, për të shkatërruar opozitën shqiptare, PD-në.
Dhe kjo vazhdon me aktin korruptiv mafioz madhor. Pasi e futën në thes ish-kreun e PD, tani duhet të rrënonin edhe një njeri tjetër, që kishte vetëm autoritet moral dhe asnjë fuqi vendimmarrëse në PD prej 8 vitesh, duhej të rrënonin Sali Berishën.
Këtu mafia e Sorosit, në një lobim korruptiv me Ramën, ia dolën të fitojnë të marrin firmën e Blinken për shpalljen non-grata të një njeriu që gjatë karrierës kishte dy epitete: shumë pro-amerikan dhe i pakorruptuar.
Mbi bazën e kësaj linje, guvernatorja Yuri Kim u shndërrua në mbështetësen më fanatike të organizatës kriminale të Edi Ramës. Ajo nuk ka gur pa luajtur, nuk la përpjekje pa bërë për të vazhduar kontrollin e plotë ndaj opozitës shqiptare për llogari të Edi Ramës. Nuk la mbështetje pa dhënë, nuk la rast pa treguar fanatizmin e saj në mbështetjen ndaj Edi Ramës dhe kësaj bande mafioze.
Sali Berisha, kreu i PD